Kujdesi për veten është gjithnjë i domosdoshëm, sidomos kur jeta e përditshme na rrëmben në rrjedhën e saj dhe shpesh e lëmë pas dore. Ndoshta këto janë edhe ditët kur kujtojmë se sa e rëndësishme është vëmendja ndaj saj.

Në rubrikën “Mirë me veten” të emisionit “Shije Shtëpie” në Tv Klan, kuratori i njohur i imazhit, Olti Shulla prezantoi disa maska shumë të thjeshta për lëkurën, me produkte që mund t’i gjeni në frigorifer apo sirtarët e kuzhinës. Herën tjetër që do të keni pak minuta kohë për veten, mos harroni t’i provoni.

Maska 1

-Një lugë gjelle vaj ulliri

-Një lugë gjelle kafe e bluar

Përziejini derisa të krijohet një pastë e njëtrajtshme. Aplikojeni në fytyrë duke shmangur zonat e syve dhe mbajeni 10-15 minuta. Shpëlajeni me ujë të vakët. Maska është e përshtatshme për njollat e errëta që shkaktohen nga dielli.

Maska 2

-Një e bardhë veze

-3-6 pika lëng limoni

Këtë përzierje aplikojeni në fytyrë dhe prisni të thahet shtresa e parë (5 minuta). Më pas aplikoni një shtresë tjetër dhe lëreni të thahet sërish. Lani fytyrën me ujë të vakët dhe aplikoni hidratuesin. Efekti i kësaj maske është tërheqja e lëkurës.

Maska 3

-Vaj bajameje

-2 bustina çaj kamomili

Merrni pak vaj bajameje në mollëzat e gishtave dhe masazhoni fytyrën. Mos lini sasi të madhe vaji në fytyrë. Merrni bustinat e kamomilit dhe vendosni në sy për t’i qetësuar nga lodhja.

Një këshillë bonus nga Olti: dy lugë të vogla kafeje vendosini në frigorifer të ftohen. Më pas, mbajini në zonat e syve ku janë krijuar rrathët. Këtë veprim mund ta kryeni shpesh, edhe 2 herë në ditë./tvklan.al