Tre migrantë janë gjetur të vdekur në ujërat pranë qytetit bregdetar të Egjeut, Çesme, ndërsa tre të tjerë janë shpëtuar dhe kërkimi po vazhdon për një person tjetër, ka njoftuar sot roja e bregdetit turk.

Menjëherë pas, ministri i Brendshëm turk Suleyman Soylu akuzoi njësitë e rojes bregdetare greke për rrahjen e shtatë migrantëve dhe lënien e tyre në det pa varkë shpëtimi ose gomone pranë ishullit grek të Chios, i cili është më pak se 8 km larg nga brigjet e Turqisë.

Roja bregdetare greke tha se ishte në dijeni të një operacioni kërkimi dhe shpëtimi në ujërat turke nga autoritetet turke por mohoi çdo përfshirje dhe tha se akuzat turke ishin fyese.

“Ne nuk i trajtojmë migrantët ose njerëzit në rrezik në atë mënyrë,”  tha për Reuters zëdhënësi i rojes bregdetare greke Nikolaos Kokkalas.

Ndërsa, Soylu tha se roja bregdetare greke “goditi 7 migrantë, u mori sendet e tyre, u lidhi duart me pranga plastike dhe i hodhi në det pa xhaketa shpëtimi dhe anije”. Duke shtuar se ata ishin lënë të vdisnin.

Ai gjithashtu publikoi një video në të cilën tregonte operacionin e shpëtimit me ekipet turke, që morën tre persona nga deti dhe trajtimin pasues të të shpëtuarve.

Një nga migrantët, tha se shtatë personat ishin larguar nga Çesme tre ditë më parë për në Chios. Ai shtoi se ata kishin qenë në ishullin grek për dy ditë para se të rriheshin, të grabiteshin dhe të liheshin në det.

Turqia ka akuzuar vazhdimisht autoritetet kufitare greke për shkeljen e të drejtave të njeriut duke abuzuar dhe ngacmuar anije migrantësh në Egje, akuza që Athina i ka mohuar.

Turqia pret më shumë se tre milion refugjatë dhe migrantë, shumë nga Siria fqinje, ndërsa dhjetëra mijëra janë duke pritur në Greqi për të shqyrtuar kërkesat për azil, kryesisht në kampe ku kushtet janë përshkruar si të tmerrshme./tvklan.al