Erik Lloshi një nga këngëtarët më të pëlqyer të muzikës shqiptare, ishte i ftuar këtë të premte në emisionin “Rudina” në Tv Klan. Ai tregoi për eksperiencën e tij në “Këngën Magjike”, ku është rikthyer në konkurrim pas 9 vitesh mungesë. Këtë herë ai konkurron me një këngë ritmike me titullin “Zanë moj”, e cila sipas tij i kushtohet dashurisë.

Ai gjithashtu ka rrëfyer një nga momentet më të vështira të jetës së tij në skenë, moment të cilin edhe kur e kujton ndihet keq. Këngëtari ka fobi nga lartësitë dhe në performancën e tij te “Kënga Magjike” në Pallatin e Kongreseve, ku do këndonte së bashku me Anxhela Peristerin e kapi paniku që te shkallët që ishin pa mbajtëse.

Eriku tregon se ai ndjeu t’i errej shikimi, madje i filloi edhe aritmia, por gjithsesi performancën nuk e la. Madje edhe pse Anxhela Peristeri kishte dashur të ndalonin ai kishte dashur të vazhdonin dhe i kishte thënë “nëse do e lë frymën e fundit, le ta lë në skenë”.

Erik Lloshi: Sa herë e kujtoj, djersë të ftohta më shkojnë edhe tani. Është një histori që shumë pak veta mund ta finalizojnë një 3 minutësh, të cilat të duken si 3 vjet. Si një moment që nuk mbaron kurrë! Unë kam një fobi ndaj lartësive dhe në momentin që unë po diskutoja me producentin e Këngës Magjike që do zbrisnim nga shkallët, mua që aty më kapi paniku se shkallët nuk kishin mbajtëse. Duke zbritur në momentin që njofton Arditi që ishte live, pa regjistrim në Pallatin e Kongreseve, mua më kapi paniku dhe aritmia e zemrës dhe kur kam zbritur poshtë i thash Anxhelës që unë nuk shikoj. Kjo nuk është në YouTube, se kanë qenë momente jo të mira të miat.

Rudina Magjistari: Po në transmetim kanë dalë ato?

Erik Lloshi: Po. Edhe në Pallatin e Kongreseve e kanë vënë re të gjithë.

Erik Lloshi: Në atë moment më errën sytë, më bie tensioni. Anxhela donte ta ndërpriste këngën. Unë i thashë vazhdojmë, nëse do e lë frymën e fundit le ta lë në skenë.

Rudina Magjistari: Aq keq ke qenë!

Erik Lloshi: Po nuk e ndalova këngën./tvklan.al