Ish-lojtari i Ganës mes lotësh: Nëse do dëgjonte mjekët do të ishte ende gjallë

Historia e Raphael Dwamena ka zënë sërish faqet kryesore të mediave ganeze. Këtë të hënë, në vendlindjen e ish-futbollistit është zhvilluar ceremonia mortore, ku familjarë dhe miq të lojtarit i kanë dhënë lamtumirën e fundit.

Ceremonia u mbajt rreth tre muaj më vonë nga momenti kur 28-vjeçari u nda tragjikisht nga jeta, në fushë, ngjarje e ndodhur në nëntor të vitit të shkuar në përballjen e Superligës shqiptare mes Egnatias dhe Partizanit. Rreth vdekjes së tij, reagoi edhe një prej ish-kolegëve të tij tek kombëtarja e Ganës, Augustine Arhinful.

Në një prononcim për mediat gjatë ceremonisë mortore, ai tha se nëse Dwamena do të tërhiqej, 28-vjeçari i ndjerë do të ishte gjallë dhe mund të kishte kaluar në një rol trajneri për të mbetur pranë sportit që donte.

“Nëse do të kishte marrë një vendim tjetër, ai do të ishte këtu me ne”, tha mes të tjerash, Arhinful.

Problemet me zemrën, Dwamena i diagnostikoi në Gushtin e vitit 2017, para firmës me Brighton në Premier League. Në Janar 2020, pavarësisht rekomandimeve për të ndaluar lojën, Dwamena vendosi të vazhdojë të luaj me një defibrilator kardioverter të implantueshëm. Megjithatë, dhjetë muaj më vonë, ai u këshillua përsëri të mos luante për shkak të rrezikut.

Në Tetor 2021, Dwamena përjetoi një tjetër kolaps në fushë, gjë që çoi në këshilla mjekësore që ai të tërhiqej nga futbolli profesionist. Pas këtij kontrolli, 28-vjeçari jo vetëm që nuk u larguar nga sporti, por hoqi dorë nga defibrilatori, duke firmosur edhe një kontratë si profesionist.

Klan News