Tre punonjësit e vrarë nga Kujtim Koxha janë shpallur “Nderi i Bashkisë së Matit”. Vendimi u dha nga Këshilli Bashkiak, që vendosi gjithashtu uljen në gjysmështizë të flamurit bashkiak.

Këshilli i Bashkisë së Matit u mblodh urgjentisht pasditen e sotme pas krimit të rëndë që tronditi qytetin. Tre punonjës të Bashkisë, në krye të detyrës për shtrimin e një rruge në fshatin Shëlli, u qëlluan për vdekje me kallashnikov nga banori Kujtim Koxha pas një debati që patën mes tyre.

Punonjësit që u vranë janë Mentor Hoxha, Erzen Aliaj dhe Hamit Buci, ndërsa u plagos Astrit Hani.

Deklarata e Këshillit Bashkiak të Matit:

Këshilli i Bashkisë Mat i mbledhur me datë 11.10.2018 ora 18:30 pas ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin “Shlli” me 3 të vdekur dhe 1 të plagosur, doli me këtë deklaratë:

Ju drejtohemi së pari familjarëve për tju shprehur  dhimbjen e sinqertë për humbjen e të dashurve Tuaj duke ju përcjellur ngushëllimet me besimin në forcën Tuaj për përballimin e kësaj humbje të madhe.

Dënojmë kolegjialisht aktin kriminal të ndodhur ndaj punonjësve të Bashkisë Mat të rënë në krye të detyrës si dhe inkurajojmë të gjithë punonjësit e Bashkisë Mat në kryerjen e detyrës së tyre pa u lëkundur ndaj këtyre fenomeneve. Në të njëjtën kohë ju bëjmë thirrje organeve ligjzbatuese për zbardhjen e këtij akti kriminal dhe ndëshkimin e autorëve.

Këshilli i Bashkisë Mat në mënyrë unanime vendosi për të rënët dhënien e titujve të nderit “ Nderi i Bashkisë Mat” për rënien në krye të detyrë. Këshilli i Bashkisë Mat vendosi dhe uljen e flamurit Bashkiak në gjysëm shtizë.

/tvklan.al