Policia ka publikuar fotot e tre personave të kërkuar të radhës, të cilët janë objekt i punës së Njësisë së Kërkimit.

I pari në listë është Gentian (Eugen) Sula, i cili në datën 19 Mars 1997, në lagjen nr. 5, Korçë në bashkëpunim me disa persona të tjerë, ka vrarë me armë zjarri, në banesën e tij, B. F. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit ka gjetur vdekjen edhe bashkëpunëtori i Gentianit, D. B.

Gentian (Eugen) Sula është dënuar nga Gjykata e Apelit Korçë, me 25 vjet burg, për veprat penale “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim” dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Një tjetër i kërkuar është edhe Besnik Lamçja. Në datën 27 qershor 2000, në vendin e quajtur “Magazinat e tregtisë”, në rrugën “Siri Kodra”, Lamçja, në bashkëpunim me E. Ç., ka vrarë me armë zjarri shtetasin G. U. Besnik Lamçja është dënuar me 25 vjet burgim, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim” dhe “Vjedhja me armë”.

Në listë është edhe emri i Kujtim Qordjes. Në datën 17 Janar 1999, në vendin e quajtur “Ura e Babrroit”, Qordja ka vrarë me armë zjarri shtetasin P. U. (H). Kujtim Qordja është dënuar me 25 vjet burgim, nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Vrasja me paramendim, kryer në bashkëpunim”./tvklan.al