Tre persona kanë humbur jetën në një aksident ajror në Nepal, në atë që konsiderohet si një nga aeroportet më të rrezikshme në botë. Aeroplani doli jashtë pistës dhe u përplas me një helikopter në aeroportin Lukla. Pista e këtij aeroporti është e shkurtër dhe përreth ka vetëm male, çka e bën të vështirë ngritjen dhe uljen.

Viktimat janë piloti i aeroplanit dhe dy policë që qëndronin pranë helikopterit. Tre persona të tjerë mbetën të plagosur. Shkaqet e aksidentit ajror janë të paqarta. Zyrtarët vendas thanë se kushtet e motit ishin të mira.

Aeroporti Lukla ndodhet në një lartësi prej 2845 metra mbi nivelin e detit. Në vitin 2008, 18 persona humbën jetën teksa një aeroplan po përpiqej të ulej në pistë. Vetëm pilotët me eksperiencë lejohen në aeroportin Lukla. Ata duhet të kenë bërë të paktën 100 ulje dhe ngjitje me aeroplan në pista me distancë të shkurtër dhe të ketë punuar të paktën për 1 vit në Nepal. Bashkimi Europian ka ndaluar të gjitha fluturimet e linjave ajrore të Nepalit në hapësirën e saj ajrore. /

tvklan.al