drogePolicia e Tiranës  ka sekuestruar sot 160 doza heroinë, 15 doza kokainë si dhe një kallëp prej 200 gramësh tritoli. Sektori i antridrogës pranë komisariatit numër 6 të kryeqytetit ka vënë në pranga edhe një person. Ai është 22-vjeçari Oltion Qoshku, i lindur në qytetin e Librazhdit dhe banues në Tiranë.

Gjatë hetimeve forcat e policisë arritën të zbulojnë se 22-vjeçari jetonte në Fushë Mëzes. Në banesën e tij ai përgatiste lëndët narkotike, i paketonte ato e më pas i tregëtonte në zonat e Kombinatit, Unazës së Re, Yzberishtit e të tjera zona në kryeqytet.

Ndërkohë që operacioni u finalizua me sukses, policia po vazhdon hetimet nëse ka persona të tjerë që mund të jenë të implikuar në këtë ngjarje.