Tregtarët e makinave të përdorura në Shkodër ankohen në emisionin “Stop” në Tv Klan se po përballen me problemin e mospajisjes me targat e provës.

Sipas një udhëzimi të ri që ka hyrë në fuqi në vitin 2019, këta tregtarë të licencuar në QBK dhe të pajisur me të gjitha dokumentet për ushtrimin e aktivitetit të tyre, duhet të kenë tashmë edhe një inxhinier mekanik në mënyrë që të pajisen me targat e provës. Do të jetë raporti i inxhinierit për gjendjen e mjetit që do të bëjë të mundur nxjerrjen më pas të targave të provës për makinat që janë në shitje.

Vendimi për të pasur inxhinier mekanik, tregtarët thonë se i dëmton ekonomikisht. Ata shprehen se nuk është e nevojshme për të pasur inxhinier mekanik, pasi bëjnë vetëm shitje të makinave dhe nuk kanë servise. Këto automjete kalojnë automatikisht kontrollin e detyrueshëm teknik kur i nënshtrohen kualidimit.

“Ne jemi tregtarë makinash. Importojmë makina nga Europa edhe i sjellim në Shqipëri. Deri tani kemi qenë të pajisur me një targë prove, që na ka pajisur shteti. Konform tyre i kemi prerë dhe siguracionet. Mirëpo tani në vitin 2019 nuk na pajisin me këto targa për arsye sepse na kërkohet një dëshmi profesionale, na kanë kërkuar një inxhinier mekanik. Nuk ka asnjë rol për arsye sepse ne targat e provës që kemi, vjen klienti dhe do të provojë makinën. Shkon te servisi dhe e kontrollon vet. Kuptohet që pastaj shkon bën edhe kolaudimin”.

“Një inxhinier mekanik neve nuk na duhet. Mua nuk m’i blen inxhinieri makinat, as nuk m’i shet inxhinieri makinat. Pa targë nuk dal dot. Unë i kam çuar makinat edhe në Vlorë, edhe në Korçë, edhe në Lezhë. Një tregtar makinash të përdorura nuk është i detyruar të ketë as inxhinier mekanik, as të ketë servis”.

“Nuk kam pse e dua inxhinierin. As nuk riparoj, as nuk kolaudoj makinën”.

“Nëse një person nga Tirana mua më thotë dua ta blej, me çfarë ta transportoj? Unë nuk mundem t’ia çoj, më ngelet makina pa u shitur”.

“Thjesht e kanë vënë për arsyet e veta për të na bllokuar biznesin e vogël. Inxhinieri nuk i duhet një shitësi të makinave”.

Gazetarja e emisionit “Stop” shkoi tek Drejtoria e Targave në Shkodër. Por, sapo drejtoresha e këtij institucioni pa gazetaren, e kyçi derën. Ne pyetëm drejtorin e Regjistrimit të Targave, i cili tha se kërkesa bazohet në një udhëzim të Marsit 2018 nga Drejtoria e Përgjithshme e Transporteve, që nuk lejon pajisjen me targë prove pa licensë profesionale, lëshuar nga QKB.

“Në bazë të një udhëzimi që na ka ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme më 6 Mars 2018, dhe thotë: “Për asnjë lloj arsyeje nuk do të kryehet shërbimi për pajisjen me targë prove ose rinovim të autorizimit për targë prove kur subjekti i regjistruar në QKB nuk ka lejen e ushtrimit të aktivitetit, licencën profesionale të lëshuar nga QKB”. Në bazë të këtij udhëzimi, ne nuk mund t’i bëjmë rinovimin e targës së provës. Duhet të drejtoni te QKB, atje ju tregojnë të gjithë dokumentacionin që paraqesin një nga këto subjektet për t’u pajisur me lejen profesionale. Unë nuk e di problemin e inxhinierit kush e kërkon”.

Pas këtij institucioni, gazetarja e emisionit “Stop” u interesua pranë QKB, ku punonjësja shpjegoi se urdhri për të pasur inxhinier mekanik nuk kërkohet prej tyre, por u vjen nga Drejtoria e Transporteve.

“Nga Transporti ne na vijnë në QKB për subjekte që janë ankuar. Ne kemi listën paraprake që i paraqesim çdo subjekti kur do të pajiset me licenca të ndryshme si shit-blerja e mjeteve, ose me targat prova që janë. Dhe pika e parë që duhet të kenë është dëshmia e aftësisë profesionale, pra drejtuesi teknik. Urdhri është nga Transporti. Ne pranojmë çdo lloj dokumenti pavarësisht me dokumentacion të plotë apo jo. Pastaj është QKB qendër që vendos është në rregull kjo listë dokumentesh apo jo. Në të kundërt refuzohet”.

Sërish, askush nuk na dha një përgjigje përse duhet që tregtarët e makinave të përdorura duhet të kenë edhe inxhinier mekanik për të garantuar që mjeti është në gjendje të dalë në rrugë, kur ky proces kryhet me detyrim nga kontrolli teknik në pikat e kolaudimit të automjeteve.

/tvklan.al