Dy shqiptarë janë arrestuar gjatë një aksioni të policisë italiane në Genova, ku u kapën me 3 kilogramë kokainë. Sipas mediave italiane, lënda narkotike ishte fshehur në një automjet tip Fiat Doblo në një vend të modifikuar. Të arrestuarit janë Aurel Hasanaj 30 vjeç dhe Meti Lika 35 vjeç. Njëri prej tyre është tregtar makinash, raporton “Telenord.it”, teksa sqaron se trafiku i drogës zhvillohej mes dy shteteve, Italisë e Shqipërisë. Për transportin e kokainës shfrytëzohej aktiviteti i tregtarit të makinave.

Lënda narkotike fshihej pikërisht në automjetet që transportoheshin me karroatrec. Automjeti tip Fiat Doblo ku ishte fshehur droga është në pronësi të Hasanajt, kurse në banesën e Likës u gjetën edhe 50 gram të tjera kokainë dhe materiale që shërbenin për paketimin e lëndës narkotike. Ky i fundit punon si tregtar makinash dhe udhëton shpesh mes Italisë dhe Shqipërisë, raporton shtypi italian. Meti Lika qenë më parë person i dëbuar nga Italia dhe zyrtarisht e kishte të ndaluar të kthehej në këtë shtet deri në vitin 2022. /tvklan.al