Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka gjobitur me 800 mijë Lekë një subjekt tregtar në zonën e Laknasit në Kamëz që shiste ushqime të skaduara. Sipas njoftimit zyrtar të AKU-së, gjatë kontrollit nga inspektorët u gjetën produkte pa dokumentacion, pa faturë shitje dhe të skaduara.

Konkretisht, u evidentuan 73 litra vaj ulliri me datë skadence Dhjetor 2017 dhe Tetor 2018, 45 kanaçe birre me datë skadence 11 Maj 2018 dhe pjesa tjetër e kishin datën të fshirë, si dhe produkte të tjera karamele, çokollatë, kafe, qumësht, ujë, lëngje frutash, marganinë dhe havjar.

Në total produktet ushqimore të bllokuara ishin 193.2 kilogramë. Për këtë arsye, dyqani u gjobit me 500 mijë Lekë për shitje të produkteve të skaduara, me 100 mijë Lekë për mungesë të sistemit të vetëkontrollit dhe me 200 mijë Lekë për mungesë të sistemit të gjurmueshmërisë, pra në total 800 mijë Lekë gjobë. /tvklan.al