Hyn në fuqi identifikimi elektronik

Përfaqësuesit e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë nënshkruan në Shkup, dy protokollet që mundësojnë krijimin e një tregu të vetëm dhe të lirë të punës për këto shtete si dhe për identifikimin elektronik të qytetarëve të tyre.

Protokolli për kushtet për qasje të lirë në tregun e punës i cili hyn në zbatim që nga data 1 Mars do të kontribuojë për një mjedis më të mirë të biznesit si dhe tejkalimin e problemeve me fuqinë punëtore në këto shtete. Kjo do të thotë se qytetarët e Serbisë, Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut mund të gjejnë punë lirisht në cilindo nga këto vende pa hasur në pengesa burokratike e administrative si deri tani.

Tashmë qytetarët e këtyre tre shteteve nuk do të kenë nevojë për leje qëndrimi apo pune. Të tre vendet do të kenë një bazë të dhënash të vetme për të gjitha vendet e lira të punës për të cilat shqiptarët, maqedonasit e serbe mund të aplikojne lirshëm.

Qytetarët do të mund të punësohen në secilin prej shteteve pjesë e marrëveshjes në të njëjtat kushte pa procedura të veçanta në kompanitë, vendase dhe të huaja, që operojnë në këto shtete. Po ashtu kompanitë do të mund të gjejnë stafin që mungon në tregun fqinj, pa dokumente dhe barriera institucionale.

Mundësia e qytetarëve për të gjetur punë në vendet fqinje do të zvogëlojë nevojën dhe dëshirën e njerëzve për të dalë jashtë rajonit dhe do të zbusë problemin e madh të largimit të trurit.

Qytetarët e këtyre tre vendeve mund të aplikojnë në tregun e punës përmes portalit të administratës elektronike, përmes e-Portaleve të tyre kombëtare. Kushdo që ka një llogari në portalin e administrimit elektronik do të marrë numrin e ID- së dhe mund të aplikojë menjëherë për akses falas në tregun e punës.

Edhe shërbimet kombëtare të punësimit janë pjesë përbërëse e këtij sistemi. Protokolli i dytë nënkupton që të njëhsohen shërbimet elektronike duke bërë të mundur identifikimin e qytetarëve të këtyre shteteve me kartë elektronike.

Klan News