Një tren pasagjerësh ka dalë nga shinat në Turqi duke shkaktuar vdekjen e të paktën 10 personave dhe plagosjen e 73 të tjerëve.

Lajmi bëhet i ditur nga agjencia turke e lajmeve “Anadolu Agency”, e cila citon burime të Ministrisë së Shëndetësisë.

Sipas medias turke nga shinat dolën 6 prej vagonëve të trenit me 360 pasagjerë.

Aksidenti i rëndë hekurudhor ndodhi pasditen e së dielës në Tekirdag, në pjesën europiane të Turqisë, teksa treni mësohet se udhëtonte nga Uzunkopru për në Stamboll.

Kryeministria turke tha se shkak për aksidentin ishte bërë dëmtimi i një ure si pasojë e rrëshqitjes së dheut pas shirave të dendur.

Dëmtimet e rënda në urë shihen qartë edhe në fotot e publikuara nga mediat turke.

/tvklan.al