treniTjetër rekord japonez për shpejtësinë e trenave. Modeli Maglev, me rrëshqitje magnetike mbi shina theu rekordin, që vetë e kishte rivendosur një javë më parë. Arriti 603 km/orë gjatë një testi në hekurudhën e malit Fuxhi.

Ky është rekordi i tretë që Maglev i thyen vetvetes. Një javë më parë, treni shtatëvagonësh arriti shpejtësinë maksimale 590km/orë, duke thyer rekordin prej 581km/orë që kishte vendosur në 2003-shin.

E veçanta e Magelvit është që treni rrëshket mbi shina pa krijuar kontakt gjatë udhëtimit. Kjo arrihet falë shtytjes magnetike që krijohet nga magnetët e ngarkuar me elektricitet. Distanca mes shinave dhe trupit të trenit është 10 cm.

Kompania hekurudhore japoneze synon që në vitin 2027 të përdorë për të parën herë sistemin Maglev, në linjën 286 kilometërshe Tokio – Nagoja, me synim përgjysmimin  në 40 minuta të kohës së udhëtimit. Projekti kap vlerën e 100 mld dollarëve. Kryeministri Shinzo Abe do t’ua propozojë teknologjinë amerikanëve për linjën New York – Washington, gjatë vizitës në SHBA në fundjavë.

Tv Klan