Ata kanë 15 vite të martuar, por janë njohur dhe dashuruar prej 20 vitesh. Por Suela Bakon dhe Romir Zallën i bashkon edhe një dashuri tjetër, është ajo për skenën dhe teatrin. Së fundmi, ata të dy i kemi parë edhe si regjisorë përveç se aktorë në shfaqjet teatrale. Këto ditë ata kanë ngjitur në skenë një shfaqje që mbart nota të theksuara japoneze “Tri Gra dhe Misugi”.

Çifti ishte sot të ftuar në emisionin “Rudina” në Tv Klan nga ku zbuluan të tjera detaje rreth shfaqjes.

https://youtu.be/0oSxfdXCO4s?t=3m59s

“Këtë shfaqje kam 13 vjet që e mendoj në fakt. Dhe mendoj se të ndenjurit 13 vjet në mënyrë të pavetëdijshme në një projekt befas e bëri të realizuar. I kam kërkuar ndihmë Romirit për këtë pjesë, por nuk më ka dhënë. Siç duket duhet të kalonte kohë që të vinte ky moment. Shfaqja do vijojë të jepet në Teatrin Eksperimental, por premiera ishte një festë e vërtetë. Nuk mund të fsheh entuziazmin tim sepse ka qenë një dëshirë e madhe për ta vënë në skenë.

Ndihem shumë e kënaqur që është pritur mirë. “Tri Gra dhe Misugi” është historia e një burri në trekëndëshin tragjik të dashurisë, e sjellë në kontekstin e ditëve tona. Misugi është burri i Midorin dhe ka të dashur kushërirën e gruas Saiko, e cila ka një vajzë Shoko. Gruaja e Misugit është në dijeni të lidhjes jashtëmartesore të burrit të saj. Në të tregohet takimi i fshehtë që Misugi bënte me të dashurën e tij. Nga ky takim lind dhe dashuria mes tyre. Por, ata të dy nuk e dinë që gruaja e Misugit i ka parë. Ajo nuk ua thotë asnjëherë. Midori (gruaja) ja thotë të dashurës së burrit ( Saiko) para se të vdesë

”, tha Suela Bako.

Ndërkohë aktori Zalla shtoi se shfaqja është pritur shumë mirë, madje citon fjalët e ambasadorit japonez në Shqipëri, i cili e kishte quajtur shfaqjen spektakolare.

“Këtë shfaqje ne e kemi konsideruar si sfidë dhe jemi shumë të kënaqur sepse rezultati final ka qenë jashtëzakonisht shumë i mirë. Këtë e them duke marrë parasysh “feedback-un” që kemi marrë nga miq, dashamirës dhe të panjohur. Autori i kësaj shfaqje Yasushi Inoue në Japoni është siç kemi ne Dritëro Agollin, aq i madh dhe popullor është. Më kanë bërë përshtypje fjalët e mira që na tha ambasadori i Japonisë në vendin tonë, i cili përveçse ishte fans i autorit tha se nuk priste diçka kaq spektakolare. Dëshira jonë e mirë dhe e Suelës sidomos, ishte që shfaqja të vinte në formën e plotë të saj, në kuptimin e spektaklit. Nuk është thjeshtë një monodramë”

, tha Zalla.

“Tri Gra dhe Misugi” do të vijojë të shfaqet në Teatrin Eksperimental edhe në datat 27, 28 Tetor.

/tvklan.al