Pas shumë debatesh, me kërkesë të opozitës grupet parlamentare janë pajtuar që të formojnë një komision ad-hoc, për të harmonizuar qëndrimet që më pas të votohet bashkërisht nisma për themelimin e tribunalit për gjenocidin serb në Kosovë.

Para marrëveshjes, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se ideja për Tribunalin Ndërkombëtar është e ngutshme.

“Do të kalojnë shumë vjet deri sa të themelohet e të nisë funksionimin. Serbia sigurohet që edhe për një dekadë s’do ta gjejë gjë”.

“Mendoj që është e padrejtë ajo që u ngrit prej deputetit Kurti me krahasu Gjykatën Speciale me kërkesën e Republikës së Kosovës për Tribunalin Ndërkombëtar. Ne e dimë të gjithë me çfarë presioni dhe me çfarë kërkese edhe prej çfarë raporti është krijuar Gjykata Speciale”, u shpreh ministri i Drejtësisë Abelard Tahiri.

“Iniciativa që kam marrë s’ka të bëjë me mua e partinë, ka të bëjë me të gjithë. Nuk e kam ndërmend të marrë flamur për këtë iniciativë. Merreni rrotullojeni si të doni, zhdukni çka të doni, iniciativa do të shkojë deri në fund, se s’do të lejohet të manipulohen familjarët”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Iniciativa për krijimin e një tribunali ndërkombëtar për të gjykuar krimet serbe gjatë luftës në Kosovë ishte në rend dite edhe në seancën e kaluar por seanca u ndërpre në mungesë kuorumi.

Tv Klan