Aktorja Maggie Smith, ylli i filmave “Harry Potter” dhe “Downton Abbey” ka ndërruar jetë në moshën 89-vjeçare.

Lajmi i ndarjes nga jeta të legjendës britanike të skenës dhe ekranit u bë i ditur nga familjarët e saj. Në një deklaratë, djemtë e aktores, Toby Stephens dhe Chris Larkin u shprehën:

“Me hidhërim të thellë ju njoftojmë vdekjen e Damës Maggie Smith. Ajo u nda qetësisht nga jeta këtë mëngjes në spital, të premten e 27 shtatorit. Një njeri tejet privat, ajo ishte në praninë e miqve dhe familjarëve deri në fund. La pas dy djem dhe pesë nipër e mbesa të pikëlluar nga humbja e nënës dhe gjyshes së tyre të jashtëzaknshme. Do të donim t’ju falenderonim për mesazhet e përzemërta  dhe mbështetjen si dhe t’ju kërkojmë që të respektoni privatësinë tonë në këtë moment”.

Në 8 filmat e sagës së “Harry Potter”, Dama luajti profesoreshën Minerva McGonagall që është e famshme për kapelen me majë, tipike të shtrigave, sjelljen e rreptë dhe zemrën e dhembshur. Me zgjuarsinë e  saj dhe rolin si drejtuese e shtëpisë së Grifindorëve, ajo sigurohej që Hoguortsi të ishte gjithnjë në duar të sigurta.

Smith fitoi dy çmime Oscar gjatë karrierës së saj për filmat “The Prime of Miss  Jean Brodie” dhe  “California Suite”. Ajo është nominuar edhe 4 herë të tjera, ka marrë 8 çmime Bafta dhe një Glob të Artë.