Nga e gjithë bota shprehet trishtim për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut. Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi uljen e flamujve në gjysmë-shtizë ashtu si në Romë e Vatikan, ku ndodhet Selia e Shenjtë.

Në një aktivitet festiv me rastin e Pashkës në Shtëpinë e Bardhë, Trump shprehu trishtimin për ndarjen nga jeta të Atit të Shenjtë, me të cilin ka patur kontradikta për dëbimin e emigrantëve të jashtëligjshëm.

Ai e quajti Atin e Shenjtë “një burrë të mirë”. Ndonëse vetë nuk e ka konfirmuar, mediat amerikane shkruajnë se Trump do të jetë i pranishëm në ceremoninë mortore të tij. Ndërsa Argjentina shpalli 7 ditë zie në nderim të vdekjes së Atit të Shenjtë, i lindur e rritur në këtë shtet.

Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der Leyen shkroi në rrjetet sociale se Papa frymëzoi miliona njerëz përtej kishës katolike me përulësinë dhe dashurinë e pastër që përcolli.

Vlerësimet më të larta edhe nga kryeministrja italiane Xhorxhia Meloni, presidenti francez Emmanuel Macron, kancelari gjerman Olaf Scholz e liderë të tjerë të vendeve europiane.

Mesazhe ngushëllimi edhe nga presidenti i Izraelit Isak Hercog, por edhe nga Hamasi që në një deklaratë për shtyp përkujtoi Papën si mbrojtës të palestinezëve nga gjenocidi.

Për presidentin rus Vladimir Putin, Papa Françesku e trajtonte mirë Rusinë në dialogun me Selinë e Shenjtë. Mesazh ngushëllimi edhe nga presidenti ukrainas Volodimir Zelensky.

Tv Klan