Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar sot një takim me mjekun Tritan Kalo, i cili njoftoi sot në mëngjes se nuk do të jetë më anëtarë i Komitetit Teknik të Ekspertëve.

Manastirliu teksa ka publikuar një foto me Kalon, shkruan se kontributi i tij është i jashtëzakonshëm gjatë një viti shumë të vështirë.

“Një kafe pune me Prof. Tritan Kalon, që prej shumë kohësh i kemi periodike, për të ndarë mendime e këshilla. Mirënjohje për kontributin e tij të vlefshëm në Komitetin Teknik të Ekspertëve, përgjatë një viti sfidues dhe aspak të lehtë të përballjes me pandeminë Covid19”, shkruan Manastirliu.

Ministrja shton se “Kalo do vazhdojë të japë kontributin e tij në shërbim të pacientëve, si gjithmonë me profesionalizmin dhe ndjenjën e lartë të përgjegjësisë”. Në fund si mjeku dhe ministrja kanë një thirrje që të gjithë të zbatojnë masat.

Këtë të enjte mjeku i njohur Tritan Kalo njoftoi dorëheqjen e tij nga Komiteti Teknik i Ekspertëve. Në një postim në mediat sociale, Kalo shkroi se kishte vendosur që të mos ishte pjesë e komitetit, por do vijojë që të japë këshilla sa herë të mundet./tvklan.al