Nga shpërthimi pati vetëm dëme materiale
Një shpërthim eksplozivi tronditi lagjen numër 4 të Durrësit mbrëmjen e kësaj të hëne.
Lënda plasëse ishte vendosur në pjesën e jashtme të banesës së Ilir Koçiljes. 35-vjeçari ndodhet në burg pasi në 14 Shkurt vrau me thikë fqinjin e tij Halil Koka pas një konflikti për parkimin e makinës së viktimës në hyrjen para pallatit.
Policia thotë se ka qenë një sasi e vogël lënde plasëse që ishte vendosur në pjesën e jashtme të dritares së banesës së Koçiljes, ku aktualisht nuk banon njeri. Nga shpërthimi ka vetëm dëme materiale dhe jo persona të lënduar.
Në vendin e ngjarjes shkuan forca të shumta të policisë. Një grup hetuesish është duke këqyrur kamerat e sigurisë në zonë me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ilir Koçilja u arrestua vetëm pak orë pas vrasjes së fqinjit. Gjatë seancës së caktimit të masës së sigurisë, 35-vjecari pranoi autorësinë e krimit, por theksoi se viktima bashkë me disa shokë të tjerë e ndiqnin për ta rrahur.
Ndërsa avokati i tij pretendoi se Koçilja ka probleme të shëndetit mendor, ndaj dhe ka kërkuar një ekspertizë shëndetësore.
Tv Klan