Zbardhet ngjarja e 9 Shkurtit, arrestohet “i forti” i rrugës “Myslym Shyri”

Dy javë pas shpërthimit me tritol të automjetit në Kamëz në pronësi të Gjon Mena, policia e Tiranës ka arrestuar 3 persona si autorë të dyshuar të vendosjes së lëndës plasëse. Blutë kanë vënë në pranga Gjergj Cukalin, Enver dhe Edmond Jamaku.

Bazuar provave të mbledhura në vendngjarje dhe hetimeve të kryera dyshohet se Cukali ka porositur atentatin ndaj Menës, ndërsa dy kushërinjtë Jamaku janë personat që kanë vendosur lëndën plasëse në automjetin tip BMW X5.

Ndalimi i tyre u krye në kuadër të operacionit të koduar sateliti.

Gjergj Cukali është person i njohur për policinë pasi me herët ka qenë i dënuar për rrëmbim personi, vrasje me paramendim dhe trafik të lëndëve narkotike. Cukali është arrestuar në vitin 2019 për vrasjen e ish efektivit të policisë Arben Bilali, ngjarje e ndodhur në 31 janar të 2019 në kryeqytet. 3 muaj pas arrestimit ai u lirua nga Gjykata e Apelit për mungesë provash.

Edhe i arrestuari tjetër Enver Jamaku është një person me precedent të theksuar kriminal. Jamaku është arrestuar në Itali në  vitin 2016 bashkë me një person tjetër për veprën penale “grabitje me dhunë”. Në kohën e arrestimit të tij mediat italiane raportuan se Jamaku dhe bashkëpunëtorët e tij torturonin personat që grabisnin dhe i shkulnin dhëmbët.

Gjon Mena i njohur ndryshe dhe si Altin Xhuxha, i cili ishte objektiv i atentatit rezulton person me precedentë penalë, pasi ka qenë i dënuar për armëmbajtje pa leje, si dhe i dyshuar për vjedhje me dhunë në Itali dhe Francë.

Klan News