Lënda plasëse u vendos në objektin në pronësi të Arjan Aliços

Një shpërthim me tritol është regjistruar mëngjesin e të hënës në qytetin e Lushnjës. Sasia e lëndës plasëse është vënë në dyqanin e Arjan Aliços, një person me precedent të theksuar kriminal, i njohur edhe si ish-anëtar i bandës së Aldo Bares.

Pronat e Aliços nuk është hera e parë që sulmohen, pasi 3 vite më parë në drejtim të banesës dhe të këtij dyqani është gjuajtur me armë kallashnikov, ku u zbrazën dy karikatore. Që nga ajo kohë në atë banesë nuk jeton asnjë nga familjarët e tij.

Nga shpërthimi në dyqanin që ishte i mbyllur nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Aliço, ndodhet ne burg pasi është dënuar me 9 vjet heqje lirie për veprën penale të plagosjes me dashje të një shtetasi. Ai së bashku me të birin Xhuljo Aliço janë të arrestuar për një ngjarje të ndodhur në vitin 2016 ku akuzohen për plagosjen e rëndë të Julian Sulës.

Arjan Aliço u arrestua menjëherë pas ngjarjes, ndërsa i biri, Xhino Aliço u shpall në kërkim. Ngjarja ndodhi pas një konflikti për motive të dobëta, në një pikë bastesh. Djali i tij 28-vjeç, u ekstradua nga Kroacia pak ditë më parë pasi rezulton i dënuar me 13.6 vite burg për tentativë vrasje.

Policia njofton se ka nisur hetimet për të identifikuar personin që e ka vendosur dhe për të zbardhur ngjarjen. Ndërkohë drejtë qytetit të Lushnjes janë drejtuar edhe forcat RENEA ku prite të kryhen kontrolle të imtësishme, gjithashtu pritet të ketë edhe arrestime të personave me precedent penal.

Klan News