Kryeqyteti u trondit mbrëmjen e kësaj të enjteje nga një shpërthim me tritol. Një sasi lëndë plasëse shpërtheu në makinën e prokurorit Arjan Muça. Makina ndodhej e parkuar në parkingun e një qendre tregtare në zonën e Komunës së Parisit.

“Benzi A Class i vitit 2002, i përket një prokurori të komanduar të KLP-së, i cili është Arjan Muça. Aktualisht po kryhen veprimet. Mjeti ka dëmtime në pjesën e përparme. Ky automjet përdoret nga ky prokuror. Prej një periudhe 2-vjeçare çdo natë parkohet pranë kësaj qendre. Janë marrë masa nga struktura të Drejtorisë Vendore të Policisë për domkumentimin e kësaj vepre penale që ju njoftova. Nuk ka dëmtime në njerëz, nuk ka dëmtime të mjeteve të tjera. Është një shpërthim që ka ndodhur në parakolpin e këtij mjeti, por ka dëmtime në motor dhe në pjesën e përparme të mjetit. S’ka pasur asnjë person afër. Grupi hetimor po merret me pamjet dhe ndjekjen e veprimeve hetimore“, tha në një dalje për mediat, kreu i policisë së Tiranë, Rebani Jaupaj.

Automjeti mësohet se ishte në emër të bashkëshortes së Muçës, e cila punon si gjyqtare pranë Gjykatën Administrative Tiranë.

Kush është Arjan Muça?

Muça është prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër dhe prej rreth 2 vitesh është Këshilltar i komanduar pranë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.

Arjan Muçaj e ushtron funksionin e magjistratit që prej vitit 2015, pasi me dekretin nr. 9127, datë 01.06.2015 të Presidentit të Republikës, është emëruar prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, ndërkohë që më parë ka punuar si Oficer i Policisë Gjyqësore.

Nga dosja personale rezulton se ka patur një transferim si prokuror në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Përmet, ku ka patur pozicion drejtuesi për 4 muaj.

Sa i përket shpërthimit të ndodhur këtë të enjte, shkaqet dhe autorët mbeten mister. Policia e Tiranës ka nisur hetimet për zbardhjen e ngjarjes.

Policia e Tiranës, informacion paraprak

Me datë 11.03.2021, rreth orës 19:30, tek Komuna e Parisit, në rrethana ende të paqarta ka shpërthyer dyshohet si pasojë e lëndës plasëse mjeti i parkuar në pronësi të shtetasit A. M., ku ka vetëm dëme materiale.

Grupi hetimor ndodhet ne vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të  rrethanave të ngjarjes.

Shërbimet e Policisë po kontrollojnë zonën si dhe janë ngritur pika kontrolli me qëllim  kapjen e autorit./tvklan.al