4 ditë pas shpërthimit të tritolit në shtëpinë e Xhelal Dacit në rrugën “Martin Camaj” në Bathore vihet në pranga autori. Pasi panë pamjet e kamerave të sigurisë, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Numër 5 në Kamëz arrestuan 23-vjeçarin Vilson Brahaj i lindur në Kukës dhe banues në Kamëz.

Policia thotë se ai vendosi 500 gramë tritol në hyrje të shtëpisë Dacëve i paguar nga persona të tjerë. Nga shpërthimi nuk pati të lënduar përveç dëmeve materiale. Pas largimit nga vendi i ngjarjes 23-vjeçari ka hedhur në lumë tek “Ura e Tapizës” rrobat e përdorura gjatë krimit, ndërsa automjetin e kishte fshehur në një bodrum këtij vendi. Policia thotë se ia ka sekuestruar makinën e përdorur nga Brahaj.

Në seancën e parë të pyetjeve, mësohet se i riu ka pranuar autorësinë e ngjarjes duke konfirmuar se ishte paguar 5 mijë euro për të vendosur lëndën plasëse, por nuk ka pranuar të tregojë porositësit

.

“Isha pa punë dhe më duheshin paratë. Nuk kam gjë personale me Xhelal Dacin të cilin e njoh, por thjesht kisha nevojë për para”,

mësohet të ketë thënë para hetuesve Brahaj.

Policia po heton në pistën e hakmarrjes për shkak të një konflikti të hapur që familja Daci ka me atë Kolaveri prej 3 vitesh. Djemtë e këtyre familjeve nisën një përplasje në Francë për shkaqe që lidhen me trafikun e klandestinëve drejt Anglisë.

Në 4 Nëntor 2015, në një lokal në Bathore, Gazmir Daci vrau Valmir Kolaverin dhe plagos vëllain e tij Robertin. Në Shkurt 2016 policia arrestoi Gazmirin, i cili u dënua më pas me 35 vite heqje lirie, por sulmet e familjes Kolaveri nuk u ndalën.

Në 31 Korrik 2016, kur Gazmir Daci ndodhej në burgun e Vaqarrit iu bë një atentat. Drejt tij u qëllua me snajper gjatë kohë që ai ndodhej në ajrim. Ai arriti t’u shpëtonte plumbave, ndërsa u plagos gabimisht një i burgosur tjetër. Për këtë ngjarje u arrestua Ergys Kolaveri, i cili u dënua Gjykata e Krimeve të Rënda me 20 vite burg.

Tv Klan