Një akt terrorist ka ndodhur mesditën e së hënës në zonën e Fushë-Krujës. Një sasi e konsiderueshme eksplozivi është vendosur në linjën e tensionit të lartë Tiranë-Podgoricë dhe Tiranë-Prizren. Fatmirësisht nuk ka pasur banesa pranë, ndërkohë që shembja e shtyllës rrezikonte të linte vendin pa energji elektrike. Në një deklaratë të përbashkët, Ministria e Energjisë e Infrastrukturës dhe ajo e Brendshme e kanë cilësuar aktin terrorist.

“Grupi hetimor po punon për të zbardhur ngjarjen, si koha, motivet dhe autorët. Kjo vepër penale konsiderohet si terroriste dhe dënohet nga 15 deri në burg përjetë. Shpresojmë që kjo ngjarje mos ketë lidhje me politikën edhe pse gjuha që përdoret nxit dhe prodhon ngjarje të tilla”.

Ndërkohë që deputeti socialist Taulant Balla dhe ministrja Spiropali aluduan se akti i shpërthimit ishte vepër e komanduar nga demokratët.

Ndërkohë Partia Demokratike i ka cilësuar këto qëndrime si shpifje.

“PD hedh poshtë me neveri shpifjen e Taulant Ballës dhe Elisa Spiropalit se pas shpërthimit me tritol të shtyllave të tensionit të lartë qëndron PD dhe opozita. Një shpifje e tillë tregon dëshpërimin e thellë të shefit të Taulantit dhe të Elisës, i cili e ka lidhur fatin me krimin dhe porositësit e tritolit”.

Shtyllave të tensionit të lartë në Fushë-Krujë u janë vënë edhe herë të tjera sasi eksplozivi. Rasti me i fundit ishte ai i ndodhur në Janar të këtij viti.

Tv Klan