PD: Akt mafioz, të vihen para përgjegjësisë autorët

Sulmi me tritol që iu bë orët e para të mëngjesit të së shtunës automjetit të prokurorit Albert Kuliçi në qytetin e Vlorës, ka ngjallur reagime të shumta si nga organet e drejtësisë, ashtu edhe nga politika.

Në një deklaratë për mediat Kryeprokurori Olsian Çela. Në një njoftim nga zyra për shtyp e kryeprokurorit thuhet se aktet e dhunës ndaj magjistratëve synojnë pengimin e funksionimit normal të sistemit të drejtësisë dhe cënojnë rëndë rendin dhe sigurinë publike. Për këtë arsye, Çela thotë se është i nevojshëm angazhimi maksimal i të gjithë organeve ligjzbatuese për vënien para përgjegjësisë të autorëve.

Në orët e para të mëngjesit të datës 21.12.2019, në qytetin e Vlorës një sasi eksplozivi është hedhur dhe ka shpërthyer në automjetin e prokurorit Albert Kuliçi, i cili e ushtron këtë detyrë në Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë. Në lidhje me ngjarjen e mësipërme janë duke u kryer hetime nga kjo prokurori dhe Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë.

Aktet e dhunës ndaj magjistratëve, qartësisht synojnë pengimin e funksionimit normal të sistemit të drejtësisë dhe cënojnë rëndë rendin dhe sigurinë publike. Për këto arsye, është i nevojshëm angazhimi maksimal i të gjithë organeve ligjzbatuese për vënien para përgjegjësisë të autorëve. Prokurori i Përgjithshëm inkurajon të gjithë magjistratët të vazhdojnë të kryejnë me përgjegjësi dhe përkushtim detyrat e tyre kushtetuese dhe i siguron ata se do të kenë mbështetjen e tij maksimale. Është gjithashtu mjaft e rëndësishme që të gjithë të kontribuojnë në krijimin e një klime normaliteti dhe mbështetjeje ndaj institucioneve të drejtësisë, pasi kjo do të ndihmonte në mirëfunksionimin e shtetit të së drejtës në Republikën e Shqipërisë”, thuhet në njoftimin për mediat të Prokurorisë së Përgjithshme.

Edhe Partia Demokratike, kërkoi vënien para përgjegjësisë së autorëve të kësaj ngjarjeje. Në një deklaratë për mediat, PD thotë se lufta ndaj krimit të organizuar dhe veçanërisht promovimit dhe mbështetjes politike ndaj tyre, është prioritet kombëtar.

“Partia Demokratike është thellësisht e shqetësuar për sulmin mafioz ndaj prokurorit të Vlorës z. Albert Kuliçi, akt i kryer për shkak të detyrës së tij. Akte të tilla mafioze kërkojnë angazhimim e menjëhershëm dhe energjik të organeve ligjzbatuese për vënien përpara përgjegjësisë të autorëve të kësaj ngjarje. Ndëshkimi ndaj tyre duhet të jetë shembullor dhe i shpejtë. Lufta ndaj krimit të organizuar, dhe veçanërisht promovimit dhe mbështetjes politike ndaj tyre, është prioritet kombëtar. Partia Demokratike shpreh mbështetjen e plotë për trupën e prokurorëve dhe për familjet e tyre. Kemi qenë dhe do të mbetemi përkrah çdo prokurori të ndershëm që lufton krimin, pavarësisht mbështetjes që segmente të politikës i japin shpesh kriminelëve, duke i veshur me pushtet. Inkurajojmë prokurorët dhe gjyqtarët e ndershëm, që pavarësisht vështirësisë, të vijojnë betejën pa kompromis ndaj krimit. Ata nuk janë vetëm në këtë betejë, por kanë përkrah shumicën dërrmuese të qytetarëve shqiptarë, që luftën ndaj krimit të organizuar e konsiderojnë si mundësi për ti dhënë vendit të ardhmen europiane”, thuhet në deklaratën e PD.

Gjatë paradites, në një mbledhje urgjente Këshilli i Lartë i Prokurorisë e cilësoi akt terrorist ndaj drejtësisë sulmin ndaj automjetit të prokurorit të Vlorës.

Albert Kuliçi ka hetuar disa dosje të tjetërsimit të tokave në zonat bregdetare të Vlorës, por edhe dosjen e ish-kryebashkiakut të qytetit, Shpëtim Gjika për lejet e ndërtimit dhe koncesionin e parkimeve./tvklan.al