Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka reaguar për atentatin që iu bë prokurorit Arjan Muça, të cilit iu vendos një sasi tritoli poshtë makinës. KLP në një deklaratë për mediat bën me dije se po presin hetimet për zbardhjen e kësaj ngjarje, por shton se “duket si një sulm i shënjestruar ndaj prokurorit për shkak të funksionit të tij”.

Më tej në këtë deklaratë theksohet se ky sulm përbën një akt të papranueshëm që synon të intimidojë prokurorin dhe të cenojë mirëfunksionimin e sistemit të drejtësisë penale në luftën kundër krimit.

Kërkesa e prokurorit Muça për mbrojtje të posaçme drejtur KLP-së

Këshilli i Lartë i Prokurorisë e konsideron çdo sulm kundër prokurorëve si një atentat terrorist ndaj sistemit të drejtësisë penale, rendit tonë juridik, vlerave tona shoqërore dhe mënyrës tonë të jetesës. Për këtë arsye ne e konsiderojmë mbrojtjen e prokurorëve të Republikës si detyrën numër një të Këshillit”, shtohet më tej.

Po ashtu sqarohet se Këshilli i Lartë i Prokurorisë do t’i sigurojë prokurorit Muça dhe familjes së tij mbrojtje të posaçme.

Gjithashtu, Këshilli iu bën thirrje të gjitha organeve ligj zbatuese të hetojnë me këmbëngulje dhe përparësi absolute ngjarjen e sotme për të arritur në zbardhjen e saj të plotë dhe të shpejtë. Kjo është mënyra më e mirë për t’i dhënë përgjigjen e duhur krimit dhe për të parandaluar ngjarje të tilla në të ardhmen”, përfundon deklarata.

Sulmi me tritol ndaj prokurorit Arjan Muça ndodhi mbrëmjen e së enjtes. Makina e familjes së prokurorit ishte në një p[arkim poshtë pallatit dhe aty shpërtheu dhe lënda plasëse. Policia ka nisur hetimet dhe ka marr1% në pyetje Muçën, i cili ka thënë se sulmi i është bërë për shkak të detyrës./tvklan.al