Suida Kuka mohon që të ketë konflikte dhe që ngjarja të ketë lidhje me detyrën

Rreth 200 gramë lëndë plasëse u vendos në gomën e automjetit në pronësi të drejtoreshës së Operatorit të Kujdesit Shëndetësor në Shkodër. Sipas policisë eksplozivi ka qenë i lidhur me sistem të telekomanduar përmes një telefoni.

Ishte vetë drejtuesja e institucionit Suida Kuka, ajo që e pikasi qesen e dyshimtë dhe njoftoi menjëherë policinë, pa e lëvizur makinën. Fakti që Kuka ishte e kujdesshme duke kuptuar rrezikun, ka shtuar dyshimet te uniformat blu se ajo ka qenë më parë e kërcënuar. Por në dëshminë e saj para hetuesve ka mohuar që të ketë konflikte me njeri dhe që ngjarja të ketë lidhje me detyrën, që ajo e mban që prej muajit Maj të këtij viti.

Kamerat e sigurisë kanë fiksuar një person që lëvizte me motor që hedh qesen me tritol në gomën e parë të automjetit i cili ishte i parkuar pranë institucionit të drejtuar nga Suida Kuka.

Uniformat blu ende nuk kanë mundur të identifikojnë autorin, ndërsa nga ngjarja fatmirësisht nuk pati persona të lënduar, pasi lënda plasëse u shpërthye nga forcat xheniere në mënyrë të telekomanduar.

Kohët e fundit kanë qenë të shumta rastet e vendosjes së eksplozivit në Shkodër. Vetëm gjatë muajve të parë të këtij viti janë regjistruar 5 raste shpërthimi, ndërsa shënjestër e tyre kanë qenë edhe punonjës të policisë.

Klan News