Festë në Mynih, Parisi pushtohet nga dhuna

Nuk mund të ketë lumturi më të madhe për një trajner si Hansi Flick që mori një ekip të madh që nuk po sillte rezultate dhe me të arriti të fitonte Ligën e Kampionëve. Bayern këtë sezon ishte skuadra e padiskutueshme në Europë. Merita është sigurisht e trajnerit që në fakt ka gjetur edhe mbështetjen e lojtarëve

“E merituam të fitonim, për shkak të gjysmës së dytë të sezonit. Ju mund të shihnit stërvitjen që u bë në Janar dhe që aty kuptohej se diçka e madhe po rritej. Ekipi kishte një dëshirë shumë të madhe për të fituar”, tha Flick.

Nga ana tjetër, trajneri gjerman i skuadrës franceze e sheh disfatën tek mungesa e fatit.

“Patëm raste dhe pati momente që e bëmë Bayernin të vuante. Mbrojtëm në mënyrë të pabesueshme me cilësi dhe me mentalitetin e duhur. Ndoshta na mungoi fati”, tha Tuchel.

Pas takimit qindra tifozë gjermanë të Bayern kanë festuar në baret dhe lokalet e Mynihut fitoren e skuadrës së tyre ndaj PSG.

Të rritur, fëmijë dhe të moshuar kanë festuar gjatë, për këtë arritje të skuadrës së tyre, që në Europë vjen pas 7 vitesh. Gëzimi madje edhe ndonjë gotë më shumë ishin të pashmangshme në rrugët e Mynihut.

Policisë vendase i është dashur vetëm të monitorojë nga larg situatën që nuk ka sjellë probleme as në qarkullimin e mjeteve. Krejt e kundërta ka ndodhur në Paris. Pas takimit tifozët kanë shkatërruar disa dyqane dhe kanë djegur dhjetëra makina në ambientet përreth stadiumit.

Pasi kanë ndjekur ndeshjen në ekrane gjigandë brenda impiantit Parc De Princes, ultrasit e PSG të zhgënjyer dhe të hidhëruar nga rezultati i ndeshjes e kanë shfryrë irritimin e tyre në mënyrë agresive.

Policia pariziene e pajisur me skafandra dhe mburoja është impenjuar për disa orë për të shpërndarë tifozët që tymueset dhe lëndët plasëse me të cilat ishin pajisur për të festuar i hodhën në drejtim të uniformave blu.

Është dashur përdorimi i gazit lotsjellës që të shpërndaheshin turmat e mira tifozëve, që kishin pushtuar rrugën rreth stadiumit.

Tv Klan