Një 41-vjeçar mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e kësaj të marte në Elbasan, gjatë kohës që udhëtonte me makinë me bashkëshorten e tij. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 20:10, në lagjen “Skënderbej”, në rrethana ende të paqarta.

Viktima është Everest Çaka, 41-vjeç, i cili njihej edhe me emrin Ibrahim Çaka. Ndërsa bashkëshortja e tij, Silvana Çaka, sipas policisë mbeti e plagosur në dorë, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.

Në foto viktima, Everest Çaka

Dyshohet se autorët udhëtonin me makinë kur hapën zjarr në drejtim të viktimës. Rreth 2 orë pas ngjarjes, një automjet Benz pa targa u gjet i djegur në fshatin Kryemëdhenj të Golemit. Ajo dyshohet se u përket autorëve të kësaj ngjarjeje.

Forca të shumta policie shkuan menjëherë në vendin e ngjarjes dhe ngritën pika kontrolli në hyrje-daljet e qytetit të Elbasanit. Në drejtim të Elbasanit shkoi edhe drejtori i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu dhe Drejtori Antikrimit, Tonin Vocaj.

Shkaqet dhe rrethanat e plota të kësaj ngjarjeje të rëndë nuk dihen ende. E rëndësishme pritet të jetë dëshmia e gruas, e cila ndodhej në makinë kur 41-vjeçari u vra në sytë e saj.

Sipas burimeve të Klan News, dyshohet se shkak për atentatin kanë qenë larja e hesapeve. Kjo pasi Ibrahim Çaka ka qenë i akuzuar për ekzekutimin e Gëzim Alikajt, ngjarje e ndodhur në vitin 2010. Saga e vrasjeve ka nisur rreth 13 vite më parë, pasi Everest Çakës i kanë vrarë një vëlla në Barcelonë ndërsa si i përfshirë direkt u akuzua Gëzim Alikaj.

Ndërkohë një vit më parë, në Bruksel persona të paidentifikuar ekzekutuan djalin e tezes së 41-vjeçarit, Arjan Spahiun. Ky i fundit duket të ketë lidhje edhe me grupin e Alibejve. Erion Alibej është i arrestuar tashmë si porositës i disa atentateve në Elbasan. Ai dyshohet se është organizator dhe porositës i vrasjeve të Emiljano Ramazanit dhe Regis Runajt, ngjarje të ndodhura në 2020-n.

Çifti Çaka mësohet se jetonin në Spanjë dhe sapo ishin kthyer në Elbasan./tvklan.al