Dyshim për akt terrorist, policia arreston autorin

Dy viktima dhe 21 të plagosur, ky është bilanci I një ngjarje të rëndë që ndodhi në kryeqytetin norvegjez orëve të para të kësaj të shtune ku pati të shtëna me armë në një klub nate.

Autori, një 42-vjeçar tani më është arrestuar. Policia ka sekuestruar edhe dy armë prej tij. Media të ndryshme norvegjeze shkruajnë se autori është me origjinë Iraniane dhe të shtënat po hetohen si një akt terrorist.  Ai kishte precedentë të mëparshëm penal dhe pritet që të akuzohet për vrasje, prishje të rendit publik, plagosje dhe tentativë për vrasje.

Të shtënat u dëgjuan fillimisht në një pub homoseksualësh dhe më pas edhe në rrugë dhe pranë një restoranti në Oslo. Mbrëmjen e kësaj të shtune pritej që në kryeqytet të mbahej edhe parada e Komunitetit LGBT që tani më është anuluar.

Mbi ngjarjen ka reaguar edhe kryeministri norvegjez i cili e quan atë një sulm  të tmerrshëm dhe tronditës ndaj njerëzve të pafajshëm.

Tv Klan