Gjergj LekaNjë këngë sa origjinale aq edhe ndryshe nga sa jemi mësuar të dëgjojmë nga muzikanti i njohur Gjergj Leka. E kemi fjalën për “ Tropojan”, e  prezantuar për publikun gjatë hapjes së superspektaklit “Kënga ime” në Televizionin Klan.

Një ndërthurje instrumentash që nga daullja e marrë nga qyteti i Tropojës përzier me instrumenta nga qytete të ndryshme të Shqipërisë. Por ajo çka po e bën publikun më shumë për vete është teksti i kësaj kënge, punuar nga vetë Leka. “Jam Tropojan” vjen me një tekst që shpreh krenarinë e të qenit nga ky vend, krenarinë e të qenit shqiptar.

I ftuar në “Takimin e Pasdites” në Tv Klan, Gjergj Leka zbuloi sekretin e kësaj kënge ndërsa nuk mohoi habinë për mënyrën sesi po pritet ajo.

“Jam Tropojan” është një dedikim i veçantë i kantautorit, drejtuar një mjeku nga Tropoja, i cili i shpëtoi jetën. Mirënjohjen Leka vendosi që t`ia “tregonte” me anë të një kënge, që duket se do të rrëmbejë më shumë zemra nga sa pritej.

Ashtu siç edhe shumë mund të mendojnë, kënga është pritur kryesisht pozitivisht në veri të vendit, pasi fjala tropojan apo “malok” në Shqipëri përdoret me konotacion negativ. Ndaj dhe kjo këngë duket sikur është shkruar për të hedhur poshtë këtë mendësi thotë kantautori i mirënjohur në një intervistë për programin, “Takimi i Pasdites” me Rudina Magjistarin.

Në fakt vetë autori i saj, deklaroi se për të kjo mendësi është e gabuar e se nuk ka rëndësi aspak se nga cili vend vjen një person. Kjo këngë “Jam Tropojan, do të thotë  jam shqiptar”. Nuk ka rëndësi fare se nga je.

Për emisionin e Pasdites në Klan, Leka rrëfeu se për këtë këngë ka rezervuar edhe një videoklip të veçantë.

Edlira Kalaja