Vendimi pas përpjekjes për të rrëzuar statujën e ish-Presidentit Jackson

Deri në 10 vite burg rrezikojnë dhunuesit e monumenteve dhe simboleve kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

Ky është ndëshkimi që Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi përmes Twitter se ka vendosur të japë për protestuesit e dhunshëm anti-racistë, që kohët e fundit kanë pasur në shenjestër monumentet e figurave që kanë shënuar historinë e Shteteve të Bashkuara, por që ata i konsiderojnë si nxitës të dallimeve racore që i japin superioritet të bardhëve, ndaj indigjenëve dhe afro-amerikanëve.

Vendimi erdhi pasi protestuesit anti-racistë u përpoqën të rrëzonin monumentin radhës, atë të demokratit Andrew Jackson, Presidentit të 7-të të Shteteve të Bashkuara.

Ai kritikohet nga manifestuesit pasi nën presidencën e tij, në vitin 1830 u miratua ligji për largimin e indianëve që çoi në zhvendosjen e detyrueshme të mijëra familjeve indigjene nga pronat e tyre në Lindje, drejt Perëndimit.

Zhvendosja e tyre njihet në histori si “Gjurma e Lotëve”. Policia pengoi manifestuesit të rrëzonin monumentin dhe i shpërndau me gaz lotjsëllës.

Tv Klan