Mes mijëra mbështetësve të tij  në Florida në rezidencën e tij në Mar-a Lago, ish presidenti amerikan Donald Trump shfrytëzoi një fjalim për rreth 25 minuta për të treguar se është i pafajshëm dhe akuzat janë të motivuara politikisht. Trump mbajti një qëndrim sfidues, duke cituar mes të tjerash, dy gjyqet e dështuara në Kongres për shkarkimin e tij kur ishte president. Ai e quajti aktakuzën e ngritur ndaj tij në Nju Jork, si sulm mashtrues. 

“Nuk kam menduar kurrë se diçka e tillë mund të ndodhte në Amerikë. Krimi i vetëm që kam kryer ka qenë mbrojtja pa frikë e vendit tonë ndaj atyre që kërkojnë ta shkatërrojnë atë. Ky rast i rremë është sjellë vetëm për të ndërhyrë në zgjedhjet e ardhshme të vitit 2024. Ata më sulmuan me hetime mashtruese. Rusia, Rusia, Rusia. Ukrainë, Ukrainë, Ukrainë. Mashtrimi numër një i fajësimit dhe mashtrimi numër dy i fajësimit ishte bastisja e paligjshme dhe antikushtetuese në Mar-a-Lago. Në mënyrë të pabesueshme, ne jemi tani një komb i dështuar dhe tani këta të çmendur të majtë radikalë duan të ndërhyjnë në zgjedhjet tona duke përdorur zbatimin e ligjit. Nuk mund ta lejojmë të ndodhë.

Pavarësisht se akuzoi rëndë prokurorët, ai nuk bëri thirrje për protesta të reja nga mbështetësit e tij. E ndërsa pritet që së shpejti t’i rikthehet fushatës, ai nuk dha detaje për këtë.

“Zgjedhjet tona janë si ato të një vendi të botës së tretë dhe tani kjo ndërhyrje masive në zgjedhje në një shkallë të paparë në vendin tonë, duke filluar me prokurorin e majtë radikal, Alvin Bragg i Nju Jorkut, i cili bëri fushatë për faktin se ai do të fuste në qeli presidentin Trump”.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve, republikani Kevin McCarthy, tha se ngritja e aktakuzës tregon se, “sistemi i shenjtë i drejtësi u përdor politikisht” kundër Trump. Përmes një shkrimi në rrjetin Twitter, guvernatori DeSantis thotë se ngritja e aktakuzës ishte jo amerikane.

“Përdorimi politikisht i sistemit tonë të drejtësisë për të avancuar një axhendë politike e kthen me kokë poshtë zbatimin e ligjit”, thuhet në postimin e DeSantis në rrjetin Twitter. Reagimet e zyrtarëve të zgjedhur demokratë lidhur me ngritjen e akuzave ndaj Trump kanë qenë të pakta, përfshirë presidentin Joe Biden.

Për herë të parë në histori, një ish-president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është paraqitur në gjykatë si i pandehur nën akuza penale. Trump ka 34 akuza, nder to ka akuza qe lidhen me pagesat e supozuara duke përfshirë një pagesë prej 130,000 dollarësh nga ish-avokati i tij Michael Cohen për yllin e filmave pornografikë Stormy Daniels. Prokurorët pretenduan se ekipi i Trump pagoi Daniels dhe një tjetër ish-modele të Playboy përpara zgjedhjeve në SHBA të vitit 2016.

Gjykatësi caktoi seancën e radhës me datën 4 dhjetor. Avokatët e  Trump kërkuan që ai të përjashtohej nga pjesëmarrja në seancë për shkak të sigurisë së jashtëzakonshme që kërkohet. Prokurorët kërkuan që gjyqi të caktohet në janar, disa javë para votimeve paraprake të kandidatëve republikanë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024.  Ekspertët ligjorë kanë deklaruar se seance tjetër gjyqësore ka shumë gjasa që të mos mbahet këtë vit dhe aktakuza apo edhe dënimi nuk do ta pengojnë ligjërisht Trump të kandidojë për president.

Klan News