Në vazhdën e luftës tregtare të SHBA-së kundrejt vendeve të tjera, Presidenti Donald Trump deklaroi se tarifat do të riformësojnë politikën tregtare amerikane dhe se do të rishikohen marrëveshjet e tregtisë së lirë.

Vetë Trump tha se do të përcaktojë përfundimisht përmbajtjen e njoftimit të 2 Prillit, të cilin ai e ka cilësuar si “Dita e Çlirimit” për ekonominë amerikane. Në një takim të kabinetit të tij, presidenti amerikan tha se në të ardhmen shumë të afërt do të shpallë tarifat për automobilat, aluminin dhe produktet farmaceutike.

“Ne do të shpallim tarifa për makinat shumë shpejt. Dhe ne kemi njoftuar tashmë çelikun, siç e dini, dhe aluminin. Ne do të shpallim tarifa për produktet farmaceutike në një moment jo shumë të largët”, tha Donald Trump.

Një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë nuk pranoi të thoshte saktësisht se kur do të hynin në fuqi tarifat specifike të sektorit për makinat, produktet farmaceutike ose çipat gjysmëpërçues. Tarifat do të synojnë të përmbushin një premtim të shpeshtë të fushatës së Trump për të rritur të ardhurat.

Trump i kërkoi gjithashtu Rezervës Federale të ulë normat e interesit pasi banka qendrore e SHBA javën e kaluar i mbajti ato të pandryshuara.

“Do të doja të shihja Rezervën Federale të ulë normat e interesit. Ne e kemi inflacionin nën kontroll. Shuma të mëdha parash do të vijnë së shpejti nga tarifat. Ne jemi grabitur nga çdo vend. Mendoj se paratë do të duhet të trajtohen në mënyrë të drejtë”, shtoi më tej Trump.

Në të njëjtën kohë, Trump hapi një front tjetër në një luftë tregtare globale duke vendosur tarifa dytësore 25% për çdo vend që blen naftë ose gaz nga Venezuela. Më herët gjatë këtij muaji, Trump e ka pezulluar për 30 ditë licencën që i ka dhënë SHBA-ja kompanisë së naftës, Chevron, e cila prej vitit 2022 ka operuar në Venezuelë. Presidenti e ka marrë këtë vendim pasi e ka akuzuar presidentin Nicolas Maduro se nuk ka bërë përparim të mjaftueshëm për reformat zgjedhore dhe kthimin e emigrantëve.

Deri më tani, administrate e Trump ka vendosur tarifa të reja 20% për importet kineze, ka rivendosur plotësisht tarifat 25% për importet globale të çelikut dhe aluminit dhe tarifa 25% për importet nga Kanadaja dhe Meksika.

Klan News