Në kulmin e reagimeve që shkaktoi intervista e Donald Trump për tabloidin ‘The Sun’, ku ai kritikonte madje edhe shantazhonte Kryeministren May me minim të marrëdhënieve, ujë zjarrit i ka hedhur vetë Presidenti amerikan. Shefi i Shtëpisë së Bardhë mohoi se ka kritikuar Kryeminsitren May, me të cilën theksoi marrëdhënien e veçantë, duke nënkuptuar se intervista për The Sun, ishte shtrembëruar.

“Nuk e kam kritikuar, kam shumë respekt për Kryeministren. Përgjithësisht ajo intervistë ishte në rregull, por nuk është publikuar ajo që unë kam thënë për kryeministren. Fatmirësisht i regjistrojmë intervistat, falë këtyre regjistrimeve kemi zgjidhur shumë probleme me lajmet e rreme. Ne kemi një marrëdhënie të shkëlqyer dhe mundësinë e artë për të trefishuar, katërfishuar marrëdhëniet tona tregtare”.

Në të njejtën linjë ishte edhe Kryeministrja May e cila sqaroi se pas shkëputjes nga BE, Britania e Madhe do të lidhë marrëveshje tregtare me të gjitha vendet, kryesisht me SHBA-në.

“Nuk do të ketë më limite për marrëveshjet tona tregtare pasi të dalim nga BE. Siç e dëgjuat edhe nga Presidenti, do të lidhim marrëveshje të re tregtare me SHBA, por edhe me pjesën tjetër të botës”.

Në intervistën e publikuar në tabloidin The Sun, Trump kritikonte politikën e butë post-Brexit të kryeministres May, madje duke thënë se në këtë kohë do të ishte më mirë që në krye të qeverisë të ishte Boris Johnson, i cili dha dorëheqjen në fillim të kësaj jave si ministër i Jashtëm.

Londinezët e pritën me protesta të shumta Trumpin. Me pankarta ku shkruhej “gënjeshtar” e “racist”, protestuesit kundërshtonin disa nga politikat më të debatuara të Presidentit amerikan.

Gjatë pasdites, Presidenti Trump dhe Zonja e Parë Melania vizituan Kështjellën Uindor, ku takuan Mbretëreshën Elizabeta e II.

Tv Klan