Trump bisedon me presidentin e vetëshpallur të Venezuelës

Trump bisedon me presidentin e vetëshpallur të Venezuelës

23:30 30/01/2019

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe presidenti i vetëshpallur i Venezuelës, Juan Guaido kanë rënë dakord gjatë një bisede telefonike për të mbajtur komunikim të vazhdueshëm, ka njoftuar Shtëpia e Bardhë.

Trump ka treguar edhe një herë “mbështetje të fuqishme për luftën që po bën Venezuela për të rikthyer demokracinë”, ka thënë zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Sanders përmes një deklarate më 30 Janar.

Shtetet e Bashkuara kanë njohur Guaidon, lider opozitar dhe kryesues i Asamblesë Kombëtare të Venezuelës, si president të këtij shteti. Shtetet tjera, duke përfshirë Rusinë, e mbështesin presidentin e kontestuar, Nicolas Maduro.

Diskutimet e Trump me Guaidon kanë ardhur pasi Gjykata Supreme e Venezuelës i ka ndaluar udhëtimin liderit opozitar, si dhe i ka bllokuar llogaritë bankare.

Guaido nuk mund të largohet nga shteti derisa të kompletohet një hetim preliminar meqë ai “ka shkaktuar dëm në paqen e republikës”, ka thënë gjyqtari, Maikel Moreno më 29 Janar. Guaido e ka shpallur veten president të përkohshëm javën e kaluar.

Në një intervistë për agjencinë ruse të lajmeve, RIA Novosti, Maduro ka thënë se është i gatshëm të diskutojë me opozitën “për hir të paqes dhe të ardhmes” me pjesëmarrje të ndërmjetësuesve ndërkombëtarë.

Maduro ka përjashtuar mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të reja, duke thënë se procesi i ri zgjedhor nuk mund të mbahet deri më 2025, mirëpo ka thënë se do të mbështeste zgjedhje të parakohshme.

Ai ka falenderuar homologun e tij rus, Vladimir Putin duke thënë se “është duke i dhënë mbështetje në të gjitha nivelet”. Ndërkohë Uashingtoni ka vënë sanksione ndaj kompanisë shtetërore të naftës së Venezuelës, PDVSA dhe ka paralajmëruar për “pasoja serioze për ata që tentojnë të dëmtojnë Guaidon”. /REL

LAJMET
Të ngjashme
UKT