Pas një bisede telefonike që zgjati rreth 2 orë, Donald Trump dhe Vladimir Putin dhanë variante me ngjyrime të ndryshme për rezultatin. Presidenti amerikan njoftoi se Rusia dhe Ukraina do të “fillojnë menjëherë negociatat për armëpushim”. Nuk është e qartë se ku do të zhvillohen këto negociata dhe niveli i përfaqësimit, por Trump zbuloi se Vatikani ka shprehur gatishmëri për pritjen e tyre.
“Vatikani, i përfaqësuar nga Papa, ka deklaruar gatishmërinë për t’i pritur negociatat”, shkroi Trump në rrjetet sociale pas bisedës.
Kreu i Shtëpisë së Bardhë, nënvizoi se “kushtet për armëpushimin do të negociohen nga vetë palët, pasi dinë detaje që askush tjetër nuk është në dijeni.”
Në anën tjetër Vladimir Putin u parapriu deklaratave të Trumpit duke dalë menjëherë para gazetarëve dhe dha një variant më konservator. Ai tha se Moska është gati të punojë me Ukrainën për një memorandum në lidhje me një traktat paqeje në të ardhmen. Ndërsa Kremlini lëshoi një deklaratë se gjatë telefonatës nuk ishte folur për ndonjë afat kohor të armëpushimit.
Trump njoftoi se pas bisedës me Putin kishte informuar për këtë Presidentin ukrainas Zelensky, Presidenten e Komisionit Evropian von der Leyen, Presidentin francez Macron, Kryeministren italiane Meloni, Kancelarin gjerman Merz dhe Presidentin finlandez Stubb. Ata kanë përshëndetur nisjen e shpejtë të negociatave dhe kanë vlerësuar gatishmërinë e Vatikanit për të ndërmjetësuar.
Ka reaguar dhe Zelenski, që thotë se tërheqja e ushtrisë ruse nga territoret e pushtuara mbetet vijë e kuqe për Kievin.
Tv Klan