Shtetet e Bashkuara bllokojnë shitjen e avionëve luftarakë F-35 drejt Turqisë. Vendimin e paralajmëruar të Washingtonit e dha vetë presidenti Donald Trump gjatë një mbledhjeje me kabinetin.

Masa vjen në kundërpërgjigje të blerjes së sistemeve raketore ruse S-400 nga Ankaraja. Trump fajësoi administratën Obama për afrimin e Erdoganit me Putinin, pasi sipas tij Turqia tentoi fillimisht blerjen e sistemeve amerikane Patriots.

“Ne i themi Turqisë tani se meqenëse ju u detyruat të blini një tjetër sistem raketor, nuk do t’ju shesim avionët luftarakë F-35. Ata dëshironin të blinin sistemet tona raketore Patriots dhe ne nuk ua shitëm. Për shkak se ata tashmë kanë një sistem rus, nuk na lejohet t’u shesim avionët tanë për miliarda dollarë, nuk është një situatë e drejtë”.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë theksoi se Turqia nuk mund të ketë njëkohësisht edhe avionët luftarakë amerikanë edhe sistemet mbrojtëse të një vendi jo anëtar të NATO-s, siç është Rusia.

Megjithatë presidenti Trump nuk u shfaq i bindur për sanksione ekonomike, sikurse ka ndërmarrë BE ndaj Ankarasë, pas kërkimeve të paligjshme për gaz e naftë në ujërat e Qipros.

Tv Klan