Dy rrjetet më të mëdha sociale, Facebook dhe Twitter i kanë hequr një postim Presidentit të SHBA, Donald Trump, për të cilin kompanitë deklaruan se shkelte rregullat dhe dezinformonte për koronavirusin.

Postimi përmbante një videoklip, nga një intervistë me Fox & Friends, në të cilën Trump pretendoi se fëmijët janë “thuajse imunë” ndaj COVID-19.

“Kjo video përfshin pretendime të rreme se një grup njerëzish janë të imunizuar nga COVID-19, që është një shkelje e politikave tona rreth dezinformimit të dëmshëm të COVID,” tha një zëdhënës i Facebook.

Po ashtu edhe zëdhënësi i kompanisë Twitter, tha se një nga llogaritë e fushatës elektorale të presidentit Trump është ngrirë, dhe se iu kërkua të hiqte këtë video, para se t’i lejohet të postonte diçka tjetër.

Drejtuesit e Fushatës së Trump akuzoi kompanitë për paragjykime ndaj presidentit, duke thënë se Trump kishte deklaruar një fakt. “Kompanitë e mediave sociale nuk janë arbitrat e së vërtetës”, tha Courtney Parella, një zëdhënëse e fushatës.

Kjo nuk është hera e parë që këto kompani kanë ndëshkuar presidentin e Amerikës për sjellje të tilla dhe komente të papërshtatshme.

Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Këshillat e Shëndetit Publik në SHBA sqarojnë se fëmijët nuk kanë imunitet ndaj Covid-19. Ndërsa sipas OBSH, nga 24 shkurti deri më 12 Korrik, fëmijët e grupmoshës 5014 vjeç përbëjnë 4.6 % të të infektuarve.

Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment. Por gjatë një aktiviteti në Shtëpinë e Bardhë, Trump përsëriti pretendimin e tij se virusi kishte ndikim të vogël te fëmijët.

Klan Plus