Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka reaguar lidhur me deklaratën e homologut të tij ukrainas, Volodymyr Zelenesky, i cili nuk ka pranuar planin e propozuar nga Uashingtoni për fundin e luftës.

E ndërsa Zelensky është shprehur se ky plan njeh vetëm arritjet e Rusisë në dëm të Ukrainës, të kundërten mendon Trump, i cili përmes një paragrafi të gjatë në platformën e tij Truth Social, shkruan se hapi i homologut të tij ukrainas nuk është i duhuri.

Duke e lidhur me territorin e Krimesë, Trump shprehet se meqë Zelensky e dëshiron këtë territor, duhej të ishte luftuar për zotërimin e saj 11 vite para.

Sakaq, e një herë tjetër Trump nuk ka lënë mundësinë të shkojë pa përmendur se po të ishte ai President, kjo luftë nuk do të kishte nisur.

“Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, është duke u “mburrur” në faqen e parë të The Wall Street Journal se “Ukraina nuk do të njohë ligjërisht pushtimin e Krimeas. Nuk ka asgjë për të folur këtu”. Kjo deklaratë është shumë dëmtuese për Negociatat e Paqes me Rusinë, e Krimean e ka humbur vite më parë nën kujdesin e Presidentit Barack Hussein Obama, e s’është as pikë diskutimi. Askush nuk po i kërkon Zelensky që të njohë Krimean si një territori rus, por nëse ai dëshiron Krimenë, përse nuk luftuan për të 11 vite më parë, kur iu dorëzua Rusisë pa asnjë plumb të shtënë? Zona gjithashtu strehon, prej shumë vitesh përpara “dorëzimit të Obamës”, bazat kryesore të nëndetëseve ruse. Janë deklarata infektuese si të Zelensky që e bëjnë kaq të vështirë shuarjen e kësaj lufte. Ai nuk ka asgjë për t’u mburrur. Situata për Ukrainën është e tmerrshme – ai mund të ketë paqe ose, ai mund të luftojë edhe për tre vjet të tjera para se të humbasë të gjithë vendin. Unë nuk kam asnjë lidhje me Rusinë, por kam shumë të bëj me dëshirën për të shpëtuar, mesatarisht, pesë mijë ushtarë rusë dhe ukrainas në javë, të cilët po vdesin pa asnjë arsye. Deklarata e bërë sot nga Zelensky nuk do të bëjë gjë tjetër veçse të zgjasë “fushën e vrasjes” dhe askush nuk e dëshiron këtë! Jemi shumë afër një marrëveshjeje, por njeriu që “nuk ka letra për të luajtur” tani, më në fund, duhet ta bëjë atë. Mezi pres të jem në gjendje të ndihmoj Ukrainën dhe Rusinë, që të dalin nga ky LËMSH i plotë, që nuk do të kishte filluar kurrë nëse unë do të isha President!”, shkruan Trump.

/tvklan.al