Ish-presidenti u njoh me 34 akuzat penale 

Rreth një orë ka zgjatur gjendja e arrestit ndaj ish-presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, i cili të martën iu dorëzua autoriteteve në Manhatan, për t’u përballur me akuzat penale.

Ai u deklarua i pafajshëm para jurisë që drejtohej nga gjykatësi Juan Merchan lidhur me 34 akuzat, ndërsa pas një seance që zgjati fare pak ai u largua nga salla e gjyqit. Ai nuk bëri asnjë koment dhe injoroi pyetjet e gazetarëve, ndërsa pritet të kthehet në shtëpinë e tij në Florida.

Ndërkohë gjykatësi Juan Merchan bëri të ditur se seanca e radhës gjyqësore do të mbahet më 4 dhjetor të këtij viti. Pas seancës prokurori i rastit, Alvin Bragg, tha se Trump i ka falsifikuar vazhdimisht regjistrat për të mbuluar krime të tjera.

 “Manhatan është qendra me e rendesishme e biznesit e ShBA. Ne nuk mund t’i lejojmë bizneset e Nju Jorkut të manipulojnë të dhënat e tyre për të mbuluar sjellje te tjera kriminale. Siç ka bërë kjo zyrë herë pas here, ne sot mbajmë përgjegjësinë tonë solemne për të siguruar që të gjithë të jenë të barabartë para ligjit”

Së bashku, këto akuza mbartin një dënim maksimal prej 136 vjet burgim, sipas ligjit të Nju Jorkut.

Akuzat u ngritën pas një hetimi lidhur me një pagesë që ai dyshohet t’ia ketë bërë yllit të pornografisë, Stormy Daniels, në përpjekje e sipër për ta blerë heshtjen e saj, gjatë fushatës presidenciale të vitit 2016.

Pagesa prej 130 mijë dollarësh është bërë nga ish avokati i zotit Trump, Michal Cohen dhe është regjistruar nga kompania e zotit Trump si shpenzim ligjor. Prokurorët thonë se ajo nuk ishte shpenzim ligjor dhe, e regjistruar si e tillë, përbën falsifikim të llogarive financiare të kompanisë.

Donald Trump tashmë është ish-presidenti i parë amerikan që përballet me akuza penale.

Tv Klan