Nga Uashingtoni dhe Jerusalemi kërcënime dhe ultimatume ndaj Hamasit për të liruar nëntë pengje izraelite ende gjallë sipas parashikimit të fazës së parë të armëpushimit.
Presidenti amerikan Donald Trump e përsëriti ultimatumin e tij ndërsa priti në Shtëpinë e Bardhë Mbretin Abdullah të Jordanisë.
Duke folur për armëpushimin brenda në Zyrën Ovale, Trumpi u shpreh mosbesues ndaj Hamasit për lirimin e pengjeve.
“Unë kam lënë një afat të shtunën dhe personalisht nuk mendoj se do ta bëjnë. Mendoj se duan të luajnë një djalë të ashpër, por do të shohim se sa të vështirë janë”.
Presidenti shtoi se nuk dëshiron të shohë zvarritjen e lirimit të pengjeve dhe paralajmëron “Hamasi ose do t’i lëshojë deri të shtunën në orën 12:00 ose armëpushimi anulohet”.
Të njëjtin kërcënim por me ton tjetër përsëriti edhe Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu. Duke përsëritur fjalët e Trumpit, ai tha se armëpushimi në Gaza do të përfundojë nëse Hamasi nuk i kthen pengjet deri mesditën e së shtunës.
“Ushtria do t’iu kthehet luftimeve intensive derisa Hamasi të mposhtet përfundimisht,” tha Netanyahu në një deklaratë.
Por lojërat e Netahyahut për të qëndruar në pushtet po hasin rezistencën e qytetarëve që i kërkojnë të mos e prishë armëpushimin.
“Njerëzit po vdesin, ngadalë, por me siguri. Duhet t’i shpëtojmë, por fatkeqësisht, ne të gjithë jemi vetëm copa në lojërat e atij, Bibi (Netanyahut)”, tha një protestuese.
Jo vetëm fati i armëpushimit, por edhe e ardhmja e enklavës palestineze është në pikëpyetje. Dhe duke folur me gazetarët Trump këmbënguli në idenë e tij: “Ne do ta kemi Gazën”.
“Besoj se do të kemi një parcelë toke në Jordani. Besoj se do të kemi një parcelë toke në Egjipt. Mund të kemi një vend tjetër, por mendoj se kur të përfundojmë bisedimet, do të kemi një vend ku palestinezët do të jetojnë shumë të lumtur dhe shumë më të sigurt.”
Në një moment Trump pyetet nga gazetarët nëse do të bisedojë me vende të tjera përshirë Indonezinë dhe Shqipërinë për strehimin e palestinezëve. Përgjigjja e tij është po.
“Ka dhe vende të tjera të interesuara”, tha Presidenti.
Monarku jordanez ka refuzuar deri më tani çdo lëvizje për aneksimin e enklavës dhe zhvendosjen e palestinezëve ndërsa në Shtëpinë e Bardhë njoftoi se Egjipti do të paraqesë një plan pune me SHBA-në rreth propozimit Trump për Gazën.
“Le të presim derisa egjiptianët të vijnë dhe t’ia prezantojnë atë presidentit“.
Nga ana tjetër ai u zotua të marrë 2000 fëmijë të sëmura nga Gaza dhe t’i strehojë në Jordani, zotim ky që u mirëprit menjëherë nga Trumpi.
Mësohet se liderët udhëheqësit rajonale të Lindjes së Mesme do të takohen në Arabinë Saudite “për të diskutuar se si mund të punojmë me presidentin amerikan dhe me Shtetet e Bashkuara”.
Klan News