Biseda telefonike midis dy presidentëve, atë të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump dhe të Rusisë, Vladimir Putin, ka përfunduar.

Telefonata e cila zgjati për më shumë se dy orë, duket se ka dhënë frytet e saj të para, duke pasur pëlqyeshmërinë e Putin për pranimin e një memorandumi armëpushues në Ukrainë.

Presidenti i Rusisë ka reaguar për një media vendase, duke u shprehur se biseda mes tyre ishte kuptimplotë, e sinqertë dhe shumë e dobishme. Për Putin, Moska është në favor të ndalimit të armiqësive, por është e nevojshme të zhvillohen rrugët më efektive drejt paqes.

Rezultati paraprak është se Moska dhe Kievi duhet të gjejnë kompromise që do t’u përshtaten të gjitha palëve.

Reagim pati dhe nga Presidenti Trump, përmes një postimi në platformën Truth Social, duke u shprehuz pozitiv për bisedën e zhvilluar me homologun e tij rus. Ai sqaroi se Ukraina dhe Rusia do të nisin negociatat për armëpushim, teksa vlerëson potencialin e Rusisë për mundësi punësimi dhe pasurie.

“Sapo përfundova telefonatën time dy-orëshe me Presidentin Vladimir Putin të Rusisë. Besoj se shkoi shumë mirë. Rusia dhe Ukraina do të fillojnë menjëherë negociatat drejt një Armëpushimi dhe, më e rëndësishmja, një FUNDI të Luftës. Kushtet për këtë do të negociohen midis dy palëve, siç mund të bëhet vetëm sepse ato i dinë detajet e një negociate për të cilën askush tjetër nuk do të ishte në dijeni. Toni dhe fryma e bisedës ishin të shkëlqyera. Nëse nuk do të ishte kështu, do ta thoja tani, në vend që të ndodhte më vonë. Rusia dëshiron të bëjë TREGTI në shkallë të gjerë me Shtetet e Bashkuara kur kjo “gjakderdhje” katastrofike të mbarojë, dhe unë pajtohem. Ekziston një mundësi e jashtëzakonshme për Rusinë për të krijuar sasi të mëdha vendesh pune dhe pasurie. Potenciali i saj është i PAKUFIZUAR. Po kështu, Ukraina mund të jetë një përfituese e madhe në tregti, në procesin e rindërtimit të vendit të saj. Negociatat midis Rusisë dhe Ukrainës do të fillojnë menjëherë. I kam informuar Presidentin Volodymyr Zelenskyy të Ukrainës, Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Evropian, Presidentin Emmanuel Macron të Francës, Kryeministren Giorgia Meloni të Italisë, Kancelarin Friedrich Merz të Gjermanisë dhe Presidentin Alexander Stubb të Finlandës, gjatë një telefonate me mua, menjëherë pas telefonatës me Presidentin Putin. Vatikani, i përfaqësuar nga Papa, ka deklaruar se do të ishte shumë i interesuar të priste negociatat. Le të fillojë procesi!”, shkruan Trump.

Më herët, Sekretarja e Shtypit të Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, foli shumë pak lidhur me këtë telefonatë që do të mbahet mes presidentësh, duke mos premtuar shumë mbi rezultate, por njëherazi dhe duke mos treguar diçka të re.

Duket se Trump i ka humbur durimi me Ukrainën dhe Rusinë, bazuar në deklaratën e Leavitt për media, pasi kjo e fundit u shpreh se Presidenti është i acaruar me të dyja palët e konfliktit.

“Ai e ka bërë shumë të qartë se deshiron të shohë një marrëveshje paqeje e t’i japë fund armatimeve sa më shpëjt të jetë e mundur. Presidenti e ka bërë shumë të qartë qëllimin e tij, të shohë armëpushimin dhe t’i vijë fundi këtij konflikti. Ai po acarohet me të dyja palët e konfliktit. Presidenti dhe ekipi i tij kanë vënë shumë mund për të zgjidhur këtë luftë të komplikuar, i cili filloi nga dobësia e administratës së kaluar”, tha Leavitt.

/tvklan.al