Presidenti Trump do të zbulojë përmbajtjen e planit të tij të propozuar të paqes për luftën në Ukrainë këtë javë. Sipas mediave, ai mund të përfshijë vendosjen e forcave evropiane dhe paqeruajtësve për të monitoruar sëbashku armëpushimin nga një komision i rusëve, ukrainasve dhe një vendi i tretë jo anëtar i NATO-s.

SHBA pret që Rusia dhe Ukraina t’i përgjigjen një marrëveshjeje paqeje pasi Trump kërcënoi të premten e kaluar se do t’i jepte fund përfshirjes së SHBA-së në bisedimet e armëpushimit pas muajsh diskutimesh në Uashington me të dyja palët.

“Unë do t’ju jap një detaj të plotë gjatë tre ditëve të ardhshme. Por ne patëm takime shumë të mira për Ukrainën, Rusinë… Do të shohim se si do të funksionojë”, u tha Trump gazetarëve.

New York Post, duke cituar një zyrtar amerikan, thotë se pjesa e vështirë do të jetë se si do të duket një forcë sigurie. Shtetet e Bashkuara mund të përfshihen gjithashtu jo si “forcë në terren, por si mbështetje financiare monetare, së bashku me një palë të tretë”, tha zyrtari. Propozimi mund të përfshijë gjithashtu njohjen nga SHBA të Krimesë së Ukrainës si territor rus, raporton Wall Street Journal.

Gjithashtu edhe presidenti rus Vladimir Putin ka sinjalizuar se është i hapur për bisedime dy palëshe me udhëheqësin ukrainas Volodymyr Zelensky për herë të parë që nga fazat e hershme të luftës. Duke folur për televizionin shtetëror rus Putin tha se Rusia “gjithmonë e ka parë pozitivisht çdo nismë paqeje dhe shpreson që përfaqësuesit e Kievit të ndihen në të njëjtën mënyrë”.

Zelensky nuk iu përgjigj drejtpërdrejt komenteve të Putinit, por tha se Ukraina ishte “e gatshme për çdo bisedë” që do të garantonte sigurinë e civilëve.

Klan News