Pas turit 4-ditor në Lindjen e Mesme, presidenti amerikan Donald Trump në një intervistë për Fox News shprehu besim për zhvillimin e bisedimeve të drejtpërdrejta me Presidentin rus Vladimir Putin.

“Kam një marrëdhënie shumë të mirë me Presidentin rus Vladimir Putin. Mendoj se do të bëjmë një marrëveshje. Duhet të takohemi dhe mendoj se ndoshta do ta caktojmë datën sepse jam i lodhur duke pasur njerëz të tjerë që shkojnë e takohen për të kërkuar bisedime të drejtpërdrejta me të.”

Kur u pyet nëse qasja e tij ndaj Putinit po ndryshonte, Trump u përgjigj: “Nuk po ndryshon… Do të përdor ndikimin nëse duhet. Do të preferoja të mos e përdorja atë. Kjo është një çështje e madhe” Ai shtoi: “Askush nuk e përdor ndikimin më mirë se unë.”

Të dyja palët janë shumë larg njëra-tjetrës në kushtet e tyre për t’i dhënë fund luftës. Ukraina ka pranuar një propozim të SHBA-së dhe Evropës për një armëpushim të plotë 30-ditor, por Putini e ka refuzuar atë duke imponuar kushte të gjera.

Ndër të tjera në intervistë, kreu i Shtëpisë së Bardhë u shpreh se një marrëveshje e re bërthamore me Iranin është afër.

“Unë njoh shumë iranianë nga New York-u, nga Washingtoni, nga vende të ndryshme. Këta janë njerëz të shkëlqyer. Por unë nuk dua që të SHBA të zhvillojë ndonjë aktivitet të dhunshëm ushtarak atje, ata nuk do të kenë armë bërthamore. Por mendoj se ata duan të bëjnë një marrëveshje.”

Ai diskutoi gjithashtu dhuratën nga Katari, që ka shkaktuar shumë polemika në radhët e demokratëve dhe republikanëve.

“Emiri i Katarit, tha, vendi juaj ka qenë shumë i mirë me ne. Do të doja shumë të bëja diçka për të ndihmuar me këtë situatë që keni me Air Force One. Unë thashë, kjo është mirë. Çfarë sugjeroni ju? Dhe ai sugjeroi këtë. Dhe unë e vlerësova. Tani, ky aeroplan nuk është për mua. Ky shkon në Forcat Ajrore të Shteteve të Bashkuara për këdo që të jetë president.”

Lidhur me tregtinë e jashtme, Trump pohoi se India është e përgatitur të eliminojë tarifat për mallrat amerikane duke e quajtur të afërt një marrëveshje tregtare me New Delhin.

Tv Klan