Gazetari i Watergate: Dëgjova përgjime të reja

“Budallaqe” e ka quajtur Presidenti amerikan Donald Trump, Kancelaren gjermane Angela Merkel.

Dhe këtë ia ka thënë në sy, siç rrëfen gazetari i famshëm amerikan Karl Bërnstein, i cili ka zbuluar për publikun përmbajtjen e disa bisedave telefonike që lidhen me shefin e Shtëpisë së  Bardhë, por edhe ato që ai vetë ka zhvilluar me udhëheqës të tjerë botërorë.

Siç shkruajnë media prestigjoze ndërkombëtare si CNN e Daily Mail, Bërnstein i ka marrë informacionet nga burime tepër konfidenciale që i kanë dëgjuar këto biseda.

Po ashtu, ish-kryeministres britanike Theresa May, Presidenti amerikan i ka thënë në një takim se ishte shumë e dobët dhe kishte mungesë të theksuar kurajo.

Në bisedat telefonike me Presidentin rus Vladimir Putin, Trump i është mburrur se ka një pasuri të madhe që e ka bërë vetë, duke dalë jashtë qëllimit të bisedave zyrtare për të diskutuar për fatet e globit.

Në telefonatat me Putinin, Trump e ka quajtur Obamën dhe pararendësit e tij, “të metë dhe ngordhalaqë”.

Mediat shkruajnë se në debatet telefonike, Trump ka pasur mungesë të theksuar informacioni përballë Putinit, për çështjet ndërkombëtare dhe kjo ka alarmuar ish-zytarë të administratës, si ish-këshilltarin për sigurinë kombëtare John Bolton por edhe ish-Sekretarin e mbrojtjes James Mattis e atë të shtetit Tillerson.

Tv Klan