Uashingtoni do t’i nisë me Moskën, negociatat për paqen në Ukrainë përmes një takimi në Arabinë Saudite javën e ardhshme. E paqartë është ende, nëse do të ketë përfaqësues të Kievit që në nisje, por nga bisedimet është përjashtuar Bashkimi Europian, çka ka alarmuar vendet e unionit.

Sipas mediave amerikane që kanë bërë publike disa detaje, pjesë e delegacionit të Shteteve të Bashkuara do të jenë Sekretari Amerikan i Shtetit Marco Rubio, këshilltari i presidentit amerikan për sigurinë kombëtare Mike Waltz dhe i dërguari i Uashingtonit për Lindjen e Mesme Steve Witkoff.

I dërguari i Posaçëm i Presidentit amerikan për Ukrainën dhe Rusinë, gjenerali në pension Keith Kellogg iu përgjigj me “Jo” pyetjes në një forum të Konferencës së Sigurisë të Mynihut, nëse e pranishme në bisedime do të jetë edhe pala europiane.

Përjashtimi detyroi presidentin francez Emmanuel Macron të thërrasë një samit urgjent me liderët e Italisë, Gjermanisë, Britanisë së Madhe e Polonisë, e ku i pranishëm mund të jetë edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Mark Rute.

Samiti mund të zhvillohet që të Hënën. Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky tha se Ukraina nuk ka marrë ftesë për të qenë pjesë e takimit të Arabisë Saudite. Ai e konsideroi të çuditshëm faktin që po para negociatave të tilla, nuk ka patur konsultime me Ukrainën dhe aleatët perëndimorë.

Nisjen e bisedimeve në Arabinë Saudite e njoftoi presidenti amerikan Donald Trump që të Premten, kur tha se ato do të ishin tri-palëshe duke përfshirë edhe Ukrainën.

Tv Klan