Fjalën e tij në samitin e Davosit, presidenti amerikan Donald Trump e shfrytëzoi për të shpjeguar vizionin e tij për një ekonomi të lirë por edhe të drejtë. Përpara të pranishmëve, Trump tha se slogani i tij “Amerika e para” nuk nënkupton “Vetëm Amerika” dhe e izoluar. Kur ekonomia e Shteteve të Bashkuara rritet, po ashtu rritet edhe bota. Prosperiteti amerikan ka krijuar vende pune pafund në mbarë globin – tha Shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Ai mbrojti edhe reformën e sistemit të taksave, për të cilën tha se pavarësisht se do të thellojë defiçitin me 2 miliard dollarë, do të shtojë miliarda të tjerë të ardhura në buxhet. Politikat e tij shtuan ritmin e rritjes ekonomike të Shteteve të Bashkuara në 2.6% në tremujorin e fundit të vitit të kaluar.

Në të mirë të ekonomisë amerikane është edhe politika e re për migracionin, që sipas Trump nuk është kundër të huajve, por përmirëson sistemin e tyre të përzgjedhjes, bazuar në kapacitetet intelektuale. Trump u bëri edhe një herë thirrje partnerëve të NATO-s të shtojnë shpenzimet ushtarake sipas objektivit 2%, për një siguri më të mirë.

Tv Klan