Do të vazhdojë të jetë përfaqësues për dialogun Kosovë – Serbi

I dërguari i Presidentit amerikan për dialogun Kosovë – Serbi, Riçard Grenell është emëruar nga Donald Trump në krye të Drejtorisë së Zbulimit Kombëtar. Duke cituar burime brenda administratës Trump, New York Times shkruan se Grenell do të vijojë të mbajë edhe postin e ambasadorit amerikan në Gjermani, po ashtu edhe atë të të dërguarit të Presidentit në dialog.

Përmes një postimi në Twitter, shefi i Shtëpisë së Bardhë tha se Grenell i kishte përfaqësuar Shtetet e Bashkuara jashtëzakonisht mirë si diplomat, ndaj dhe kërkonte që ai të ishte pjesë e administratës. Vlerësime edhe për drejtorin në largim të zbulimit kombëtar, të cilin Trump shprehet se do ta emërojë në një tjetër post të lartë.

Qëkurse është zgjedhur President, Trump nuk i ka pasur punët mirë me agjencitë e zbulimit dhe kjo sipas analistëve është edhe arsyeja që emëroi në krye të Drejtorisë së Zbulimit Kombëtar që drejton CIA-n dhe 16 agjenci të tjera, një besnik të tij. Emërimi i tij duhet të miratohet edhe në Senat.

Grenell njihet për arritjet e tij si diplomat. Si përfaqësues në dialogun Prishtinë – Beograd, atij i atribuohen marrëveshjet për rikthimin e fluturimeve mes dy vendeve, rindërtimi i linjës hekurudhore dhe ndërtimi i autostradës që lidh Kosovën me Serbinë.

Ai ka lobuar me sukses që Gjermania dhe aleatë të tjerë europianë të mos përdorin teknologjinë kineze të komunikimit 5G nga rreziku i spiunazhit. 53-vjeçari është i pari homoseksual që përfshihet në administratën amerikane. Vitin e kaluar premtoi se do të drejtojë një fushatë globale për dekriminalizimin e homoseksualitetit.

Tv Klan